Kryetari i Federata e Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vlerësuar lart arritjen e jashtëzakonshme të kapitenit të Kombëtares, Vedat Muriqi, i cili po vazhdon të shkëlqejë në futbollin spanjoll.
Në një reagim publik, Ademi e cilësoi sulmuesin kosovar si “piratin e Kosovës” dhe “kampionin që po bën histori”, duke theksuar se Muriqi ka vendosur rekord golash me klubin RCD Mallorca në elitën e futbollit spanjoll, La Liga.
Sipas tij, kjo arritje merr edhe më shumë peshë pasi Muriqi ka tejkaluar një emër legjendar si Samuel Eto’o, duke hyrë në historinë e klubit dhe ligës.
Ademi theksoi se përkushtimi, puna e palodhshme dhe shpirti luftarak i Muriqit e kanë bërë atë jo vetëm golashënuesin kryesor të Kombëtares së Kosovës, por edhe një ambasador të denjë të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Me golat dhe paraqitjet e tij, Vedati është kthyer në simbol krenarie për Kosovën dhe një nga përfaqësuesit më të mirë të futbollit tonë në botë”, thuhet në mesazhin e kreut të FFK-së.
Arritjet e fundit të Muriqit po konsiderohen si ndër më të mëdhatë për futbollin kosovar në skenën ndërkombëtare, duke forcuar edhe më tej imazhin e vendit në sportin më të ndjekur në botë.




