Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar Kombëtaren e Kosovës për fitoren e rëndësishme ndaj Bullgarisë me rezultat 2:1, në kuadër të Ligës C të kualifikimeve për Botërorin 2027.
Në një reagim publik, Ademi vlerësoi paraqitjen e futbollisteve, duke theksuar karakterin dhe vendosmërinë e treguar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku “Dardanet” arritën përmbysjen e rezultatit.
Ndeshja u vendos në momentet e fundit, kur kapitenja Erëleta Memeti realizoi golin e fitores, ndërsa më herët Blerta Smaili kishte rikthyer baraspeshën dhe besimin në skuadër.
Sipas Ademit, kjo fitore përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt synimit për promovim në Ligën B, duke përgëzuar njëkohësisht lojtaret dhe stafin teknik për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar.
Ai i inkurajoi futbollistet që të vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe besim në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.



