Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se në seancën e sotme parlamentare opozita ka refuzuar të fusë në rend dite paketën e mbështetjes financiare për punëtorët e sektorit privat, studentët, pensionistët, fëmijët dhe familjet në vend.
Sipas tij, përfshirja e kësaj pike në rend dite kërkonte votën e dy të tretave të deputetëve të pranishëm, por nuk arriti të sigurohej për shkak të votave kundër nga opozita.
Murati theksoi gjithashtu se opozita refuzoi edhe trajtimin e Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave, një ligj i rëndësishëm që plotëson pakon e nevojshme për anëtarësimin e Kosovës në SEPA (Single Euro Payments Area).
Duke iu referuar një studimi nga German Economic Team, ai potencoi se mbi 50 milionë euro në vit do të kurseheshin nga qytetarët dhe bizneset përmes anëtarësimit në SEPA.
Ndërkohë, sipas tij, vendet e tjera të rajonit tashmë kanë avancuar në këtë drejtim, duke përfituar nga kostot më të ulëta të transfereve bankare.



