PRISHTINË – Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka përshëndetur zyrtarizimin e partneritetit të ri teknik me gjigantin botëror të veshjeve sportive, Adidas, duke e cilësuar këtë si një hap historik dhe një kapitull të ri plot krenari për Kombëtaren e Kosovës.
Përmes një mesazhi të drejtuar nga Leipzigu, ku po ndjek nga afër finalen e UEFA Conference League, kreu i FFK-së ka uruar që ky rrugëtim të jetë i mbushur me suksese dhe arritje të mëdha për futbollin tonë.
“Me këmbë të mbarë me Adidas! Nga sot, Kosova vishet me gjigantin botëror Adidas. Një kapitull i ri që na jep forcë, krenari dhe energji për suksese të reja. Uroj që rrugëtimi me sponsorin e ri teknik të na ecë mbarë dhe të jetë i mbushur me arritje të mëdha,” ka thënë Ademi.
Fokusimi te dy miqësoret e radhës
Përveç prezantimit të sponsorit të ri teknik, kryetari Ademi ka shfrytëzuar rastin që t’u urojë fat dhe sukses futbollistëve të Kombëtares në prag të grumbullimit për dy ndeshjet e radhës miqësore.
Kosova pritet të zhvillojë dy testime të rëndësishme kundër Çekisë dhe Andorrës, ndeshje këto që do të shërbejnë për të konsoliduar grupin dhe për të testuar formën e lojtarëve nën petkun e ri të Adidas.
“Dardanëve u uroj grumbullim të mbarë dhe të suksesshëm për dy miqësoret kundër Çekisë dhe Andorrës,” përfundoi numri një i futbollit kosovar, duke ndezur entuziazmin e tifozëve për sfidat që po vijnë







