Adnan Merovci, një ndër njerëzit më të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka treguar se si gjenerali grek, Nikollae Girallakis, ia kishte dhuruar presidentit Rugova një pistoletë me 200 fishekë, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Merovci ka thënë se kjo revole i ishte dhuruar në një takim përshëndetës më 19 korrik të atij viti.
Sipas Merovcit, Rugova ia kishte dhënë atij revolen, duke i thënë “Merre, o Adnan, se na duhet. Shtet po ndërtojmë”.
“Në përfundim të vizitës së Presidentit RUGOVA në Greqi më 19 korrik të vitit 1992, organizatori i saj, gjenerali Nikollae GIRILLAKIS, kishte organizuar një takim përshëndetës, ku nuk munguan dhuratat. Asgjë e pazakontë derisa ushtaraku GIRILAKIS nuk ia dhuroi Kryetarit një revole “Beretta” 9 mm në një kuti me 200 fishekë. Ishte kjo befasia më e madhe e vizitës. U stepëm të gjithë. Unë u drejtova miqve grekë: “Me të vërtetë keni menduar këtë dhuratë për RUGOVËN?” “Po pikërisht për RUGOVËN”, thanë. Kryetari vetëm qeshte dhe më tha: “Merre, o Adnan, se na duhet. Shtet po ndërtojmë””, ka shkruar Merovci.