Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.
Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.
Për nder të festës së 28 Nëntorit, Komuna e Prishtinës ka planifikuar të organizoj disa aktivitete të rëndësishme.
Më poshtë është agjenda e ngjarjeve në kryeqytet:
10:00 Seanca solemne në Kuvendin Komunal
Respektimi i himneve
– Himni i Kosovës – Himni i Shqipërisë
– Dy pika muzikore
10:10 Hapja e seancës nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajçinovci
10:15 Fjala e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj 10:30 Fjala e kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama
10:45 Foto në grup 10:50 Përfundimi i seancës 12:00 Libri shumëngjyrësh- teatri “Dodona” Shfaqje për fëmijë. 12:30 Ecje e kryetarit përgjatë sheshit në festimet e Kryeqytetit 13:00 Koncerti në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe shpalosja e flamurit – Performansë nga Nusret Muçiqi – Shpalosja e flamurit te hoteli “Grand” – Performansë nga grupi “Çamëria” – Performancë nga grupi “Labëria”
28 Nëntori nuk bën pjesë në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, ani pse kjo ditë festohet çdo herë dhe e njëjta shpallet ditë pushimi për të gjitha institucionet shtetërore. Historianë, edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që kjo festë të jetë pjesë e kalendarit të festave zyrtare.
Sipas tyre, në këtë formë po cenohen vlerat kombëtare.
Dita e Flamurit, 28 Nëntori, shënohet pothuajse kudo që flitet shqip.
Kjo datë në të cilin në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare, përbën edhe histori të tjera për shqiptarët.
Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës.
Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës.
Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, u vendos që festë zyrtare të jetë 17 Shkurti, dhe 28 Nëntori mbeti vetëm tek festat memoriale. Kjo doli nga pakoja e Ahtisaarit, përmes së cilës edhe u shpall pavarësia.
Derisa 28 Nëntori nuk bënë pjesë në kalendarin zyrtar të festave në Kosovë, aty ka data të tjera që shënohen me festë dhe ditë pushimi, por që konsiderohen si të panevojshme.
Aktualisht shteti i Kosovës ka 11 festa zyrtare: Vitin e Ri, Krishtlindjet Ortodokse, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Pashkët Katolike, Pashkët Ortodokse, Ditën e Kushtetutës, Ditën Ndërkombëtare të Punës, Ditën e Evropës, Bajramin e Madh, Bajramin e Vogël, dhe Krishtlindjet Katolike.
Festat si Dita e Kushtetutës, Dita e Evropës, apo 1 Maji, po konsiderohen të panevojshme në Kosovë, që të jenë festa zyrtare dhe në të njëjtat të jenë ditë pushimi.