Ditën e sotme është regjistruar një ngjarje e rëndë, ku një 33-vjeçare, nënë e katër fëmijëve është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës për shkak se braktisi të miturit, duke i lënë në mëshirë të fatit, por edhe për faktin se familja e saj nuk di asgjë për adresën se ku ndodhet.
Ndërkohë, burime pranë Drejtorisë Vendore për gazetën Si, bëjnë me dije se largimi i shtetases me iniciale I. M nga kryeqyteti, u denoncua nga nëna e saj 64-vjeçare, e cila kërkoi ndihmën e policisë për t’i kthyer të bijën në banesë. E moshuara rrëfeu në komisariat se vajza e saj pretendon që ka njohur një të panjohur në platformën “Tik Tok” , por nuk ka asnjë informacion se kush është ky shtetas.
E moshuara shprehet se:
Ime bijë ka katër fëmijë. Më i vogli një vjeç e gjysmë dhe më i madhi 11 vjeç. Të voglin kur u largua e ka marrë me vete, ndërsa të tjerët i ka braktisur në shtëpi.
Sipas saj, vajza u kthye në shtëpinë e prindërve pas debateve me bashkëshortin dhe siç i kishte treguar ishte kthyer për t’u qetësuar dhe për t’u menduar.
E moshuara, në denoncimin e saj thotë se:
Sapo i shoqi mësoi që gruaja i kishte ikur edhe nga shtëpia e prindërve, erdhi në shtëpinë tonë mori fëmijët dhe iku i shqetësuar.Të nesërmen e telefonova vajzën, e hapi. Më tha, mami kam njohur njërin në “Tik Tok” dhe nuk kthehem më. E pyeta ku ndodhej dhe më tregoi në Vlorë. Kërkova të dija se me kë kishte shkuar në këtë qytet, por nuk më tregoi as emrin dhe as vendin ku ndodhej saktësisht.
64-vjeçarja, nën merakun për fatin e 33-vjeçares ka thënë se:
Mbasi ajo e fiku dhe nuk dilte më e disponueshme, e provova disa herë, por pa asnjë rezultat. Jam e merakosur për bijën dhe fëmijën e vogël, nuk mund ta besoj që një nënë me katër fëmijë t’i braktisë ata dhe familjen për një burrë në “Tik Tok.
Ndërkohë, një zyrtar i policisë së Tiranës ka thënë për gazetën Si se:
Ne nuk mund të jemi të sigurt nëse kjo shtetase gjendet vërtet në Vlorë ashtu sikurse ka treguar, apo gjendet në kryeqytet. Veprimi i parë që kryhet në këtë rast është pyetja e të gjithë familjarëve, mes tyre edhe bashkëshorti dhe fëmijët, të cilët duhet të japin detaje mbi konfliktin dhe dyshimet e tyre dhe nëse kjo shtetase është larguar për arsye pasioni nga një njohje në tik tok, kjo do konfirmohet vetëm pasi të gjendet adresa e saj. Vepra e parë penale që ne dyshojmë që ka kryer është abuzimi me përgjegjësinë prindërore, nuk është kompetencë e policisë të hetojë njohjen në tik tok, por nëse I. M ka një adresë në këtë platformë dhe është e mundur që përmes Tik tok t’i zbulojmë adresën, sigurisht që do të vendosim nën verifikim edhe historinë e saj të dashurisë.