Klara Sanduloviq, vajza e politikanit serb Nikola Sanduloviq, të shtunën bëri homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Të respektojmë që të mos përsëritet ma”, shkruan në mesazhin që ajo ka lënë te varri i Blerina Jasharit.
Pasi bëri homazhe, Klara Sanduloviq tha se babai i saj është i vetmi politikan serb që promovon paqen e prosperitetin dhe se politika e tij bazohet në falje dhe paqe.
“Vitin e kaluar ai erdhi në këtë vend dhe shprehi ngushëllimet e tij për të gjitha viktimat e pafajshme që u vranë gjatë luftës. Ky ishte një akt shumë paqësor dhe qeveria serbe arriti në përfundimin se ky ishte krim e kjo ishte gjuhë e urrejtjes, kështu që vendosa të bëhesha njëjtë kriminel si babai im”.
“Vendosa të vij këtu dhe të shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha viktimat e paligjshme. Dhe t’ia shprehi brezit tim që ne duhet të ndalojmë urrejtjen dhe duhet të falim njëri-tjetrin dhe gjithashtu duhet të kërkojmë falje dhe që gjëra të tilla që ishin në të kaluarën të mos përsëriten dhe asnjë fëmijë të mos vritet në të ardhmen”, deklaroi vajza e politikanit Sanduloviq.