Prishtina ka shënuar fitore me rezultat 3-1 ndaj Lirisë në kuadër të xhiros së 23-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Pjesa e parë u karakterizua me një dominim të lehtë të Prishtinës sa i përket posedimit të topit, ndërsa dy ekipet patën nga një rast të mirë shënimi.
Kryeqytetasi iu afruan golit në minutën e katërt kur Genc Hamiti në një situatë përballë portierit Stivi Frashëri dështoi që të shënojë. Mysafirët në ndërkohë rrezikuan me anë të Sissokos i cili me kokë në minutën e 44-të goditi traversën.
45 minutëshi i dytë u përcoll me një dominim të plotë të Prishtinës ku edhe arritën që të shënojnë tre gola.
Ardian Muja (60’) shënoi për 1-0 pas asistimit të Genc Hamitit, ndërsa për ta dyfishuar epërsinë u përkujdes Kreshnik Uka (70’) i cili po ashtu me kokë pas një topi të kthyer nga traversa realizoi për 2-0.
Fitoren e Prishtinës e vulosi Leotrim Kryeziu (86’) i cili me një driblim të bukur e shmangu mbrojtësin kundërshtar për të shënuar për 3-0.
Liria në minutën e 94-të ngushtoi diferencën në 3-1 pas një super goli të realizuar nga Gjumsi.
Me këto tri pikë Prishtina tashmë shkon në kuotën e 34 pikëve dhe pozicionohet në pozitën e pestë në tabelë, ndërsa të mërkurën do të ballafaqohet me Trepçën ’89 në kuadër të Kupës së Kosovës