Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu bëri apel për respektimin e masave me qëllim frenimin e përhapjes së Covid.
Ajo kërkon nga të gjithë mbajtjen e maskave dhe shmangien e grumbullimeve e festave. Këto të fundit janë burimi kryesor i infektimit.
“Po përgatitemi për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime: Nga krijimi i skuadrave të lëvizshme në Qendrën e Urgjencës Kombëtare, tek skuadrat e dedikuara të mjekëve dhe infermierëve për spitalet Covid3 dhe Covid4, tek fuqizimi i kapaciteteve të spitaleve rajonale; nga rritja e kapaciteteve testuese tek vaksinimi i grupeve të riskuara, nga parandalimi i kontrollit të infeksioneve tek masat për vijimin e trajtimeve bashkëkohore të pacientëve me Covid19.
Por, deri kur kjo pandemi të jetë mposhtur, kërkohet të heqim dorë nga grumbullimet dhe nga festat që shumë herë janë kthyer në vatra kryesore të përhapjes së infeksionit. Normaliteti i ri kërkon nga ne fare pak: Të gjithë bashkë, duke respektuar rregullat e thjeshta, por jetëshpëtuese, mund t’ia dalim!” deklaroi ministrja.