Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njoftoi se sot, në Ferizaj, një person dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, në mëngjes, ku i dyshuari B. Ç., rreth 62 vjeç, dyshohet se në shtëpinë e tij në rrugën ‘Ejup Statovci’, në Ferizaj, ka privuar nga jeta nënën e tij, tani të ndjerën M. Ç, rreth moshës 83-vjeçare”, thuhet në komunikatën.
Në këtë mënyrë dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I dyshuari B. Ç, me vendim të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor ndaj tij do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale.
Policia jep detaje: Viktima në Ferizaj është e moshës 83-vjeçare
Policia e Kosovës në Ferizaj njofton se viktima që dyshohet se u vra sot rreth orës 08:00 në Ferizaj është M.Ç. shtetase e Kosovës e moshës 83 vjeçare.
Sipas një komunikate për medie, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore si dhe ekipi mjekësor, ku pas ekzaminimit nga ana e mjekut është konfirmuar se viktima e rastit kishte ndërruar jetë.
“Pas hetimeve fillestare,hetuesit policor kanë arestuar një person të dyshuar lidhur me kët rast ku i njejti është duke u intervistuar”, thuhet në njoftimin për medie nga Policia në Ferizaj.