Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë mbesin në nivel të lartë, derisa të dyja vendet kanë dërguar anije luftarake në Mesdheun lindor, raporton AP.
Turqia dërgoi një anije kërkimore për të kryer kërkime sizmike për burimet e gazit dhe naftës në një zone për të cilën Greqia thotë se është në pjesën e saj.
Greqia tha se do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian, njoftoi zyra e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis. Ankaraja njoftoi të hënën se anija e saj kërkimore “Oruc Reis” dhe dy anije mbështetëse luftarake, do të zhvillonin aktivitete kërkimore në Detin Mesdhe midis Qipros dhe Greqisë, deri më 23 gusht.
Greqia e cilësoi këtë si një veprim të paligjshëm që shkelte të drejtat sovrane të vendit. Anijet luftarake greke janë dërguar në zonë, dhe po monitorojnë aktivitetet e anijes turke derisa ushtria është në gatishmëri, thanë zyrtarët.
Greqia dhe Turqia kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të tendosura dhe kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada të tëra për një sërë çështjesh.
Të dyja vendet kanë qenë në prag të luftës tre herë, që nga mesi i viteve 1970, duke përfshirë edhe një herë mbi të drejtat e eksplorimit të pasurive nënujore.
Zbulimet e fundit të gazit natyror në Mesdheun lindor kanë ripërtërirë tensionet. Ankaraja është zemëruar nga një marrëveshje që Greqia nënshkroi me Egjiptin të enjten e kaluar, e cila përcakton kufijtë e tyre detarë dhe zonat ekskluzive ekonomike për të drejtat e shfrytëzimit të burimeve.
Vitin e kaluar, Turqia nënshkroi një marrëveshje të ngjashme me qeverinë libiane të mbështetur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli. Marrëveshja Turqi-Libi shkaktoi zemërim në Greqi, Egjipt dhe Qipro, duke thënë se ajo cenonte të drejtat e tyre ekonomike në Mesdhe. Bashkimi Evropian tha se marrëveshja ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar që kërcënonte stabilitetin rajonal.
Kryeministri, Mitsotakis foli të martën me presidenten greke, Katerina Sakellaropoulou, për ta informuar atë lidhur me situatën në Mesdheun lindor, tha zyra e tij. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke folur pas një takimi katër-orësh të kabinetit të hënën në mbrëmje, paralajmëroi se Turqia nuk do të kufizojë eksplorimet e saj në det të hapur.
“Le të bashkohemi si vende mesdhetare. Le të gjejmë një formulë që është e pranueshme për të gjithë, që mbron të drejtat e secilit”, tha Erdogan në një fjalim televiziv, duke thënë Turqia është e gatshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut.