Drejtori Sportiv i Lazios, shqiptari Igli Tare, e ka kritikuar ashpër David Silvën, iu bashkuar Real Sociedadit papritmas dhe befas duke e lënë Lazion me gishta në gojë, edhe pse kishte rënë në ujdi me të.
Marrëveshja mes Silvës dhe Lazios ishte arritur javën e kaluar dhe vizitat mjekësore për të ishin caktuar në Romë. Mesfushorit spanjoll i ishte përgatitur një ofertë trivjeçare me pagë vjetore që arrinte shifrën 10 milionë euro duke përfshirë bonuset, transmeton Gazeta Express.
Atij madje i ishte siguruar një shofer personal dhe përdorimi i një aeroplani privat. Sipas mediave italiane, spanjoll nuk i ishte përgjigjur thirrjeve të drejtorit sportiv të Lazios, Igli Tares, në ditët e fundit dhe se atij ishte caktuar ultimatum për të vendosur.
Sipas Sky Sport Italia, Silva as që i kishte treguar Lazios se kishte nënshkruar marrëveshje me Real Sociedadin dhe gjiganti italian e mori vesh këtë vetëm pasi klubi i La Ligës e bëri zyrtare transferimin e tij në rrjetet sociale të hënën mbrëma.
Në fund, 34-vjeçari e nënshkroi një marrëveshje më të shkurtër dhe më pak fitimprurëse me Real Sociedadin, duke e refuzuar Lazion që sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve.
Dhe tani, një ditë pasi ai u bë lojtar i klubit spanjoll, Tare ka reaguar përmes një komunikate të shkurtër në uebsajtin e Lazios.
“Mora vesh se David Silva i është bashkuar Real Sociedadit” tha Tare në një komunikatë në uebsajtin e Lazios.
“Kam respekt të madh për të si lojtar, por jo edhe si njeri”, theksoi ish-sulmuesi i Shqipërisë. /Gazeta Express/