Merr fund misteri i vdekjes së 17-vjeçares Enisa Doda e cila u gjet pa shenja jete 700-800 metra larg bregut në Velipojë.
Sipas mjekësisë ligjore, 17 vjeçarja ka humbur jetën si pasojë e mbytjes dhe shenjat që kishtë në trup nuk janë si pasojë e dhunës por si pasojë e faktit që vajzës i është bllokuar frymëmarrja.
Sipas hetimeve, dyshohet se i riu Indrit Bajraktari që ishte në motorin e ujit me Enisën, nuk i dha ndihmë vajzës. Ai është larguar pa e ndihmuar dhe nuk ka pranuar të flasë para hetuesve duke u thënë se do flasë vetëm në gjyq.
Sipas policisë Bajraktari doli nga deti pa vajzën dhe pa motorin e ujit, ndërsa 17-vjeçarja nga Burreli me banim në Bathore, nuk e kishte jelekun dhe nuk dinte të notonte.
Ndërkaq ka folur pronari i motoskafit i cili ka pohuar se dy të rinjtë kanë kërkuar me qera skafin për 30 minuta. Një pushues i tha pronarit se një nga të rinjtë po mbytej.
Pronari hyri në det por pak më vonë ka vënë re Indritin teksa po dilte me not i vetëm dhe menjëherë e ka pyetur se ku ishte vajza.
Indriti i ka thënë se vajza ka takuar në breg xhaxhain dhe ishte me të por pronari ka dyshuar teksa i riu ka tentuar të largohet.
Mirëpo pronari nuk e ka lejuar dhe i ka kërkuar Indritit ta çojë aty ku është vajza.
Së bashku kanë ecur për 20 minuta ndërsa pas kësaj, pronari ka telefonuar menjëherë policinë.