Tre persona janë arrestuar në Prishtinë në natën e së martës nën dyshimin se e kanë rrëmbyer një vajzë në Lipjan, shkruan Reporteri.net. Por reagimi i shpejtë i Policisë së Kosovës e ka shpëtuar vajzën e re nga më e keqja.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar për Reporteri.net se në veturën e të dyshuarve është gjetur edhe vajza që dyshohet se është rrëmbyer.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për Reporteri.net se pasi kanë marrë informacione, kanë ndaluar një veturë, brenda të cilës ndodheshin tre të dyshuar dhe një vajzë.
“Policia ka pranuar informatën se dyshohet që një person (femër) është rrëmbyer në Lipjan dhe të dyshuarit kanë lëvizur me një veturë në drejtim të Prishtinës. Njësitet policore, konkretisht ato për reagim të shpejt të rajonit të Prishtinës, menjëherë pas pranimit të kesaj informate kanë arritur që ta identifikojnë dhe para pak çastesh në rr. Xhorxh Bush në Prishtine e kanë ndaluar veturën e dyshimtë, me ç’rast 3 persona te dyshuar dhe një femër e moshës së re është shoqëruar në Polici për verifikime të mëtejme dhe sqarim nëse bëhet fjalë për ndonjë veprim të kundërligjshëm”, ka thënë Hoxha për Reporteri.net.
Ai ka thënë se lidhur me rastrin është njoftuar edhe stacioni policor në Lipjan të cilët do të asistojnë në trajtimin dhe sqarimin e rrethanave të mëtejme.