Tensionet midis Greqisë dhe Turqisë u përshkallëzuan përsëri ditën e djeshme, pasi Ankaraja filloi stërvitjet e reja ushtarake në Mesdheun Lindor. Greqia akuzoi gjithashtu se avionët turq bënë një inkursion, ndërsa palët merren me mosmarrëveshjen e gjatë të të drejtave detare dhe burimeve të gazit. Të dy palët po zhvillojnë stërvitje të marinës.
Në një mesazh në NAVTEX, (sistemi ndërkombëtar i lundrimit detar) Turqia tha se do të kryente “stërvitje me armë zjarri” nga e shtuna deri më 11 shtator në një zonë jashtë qytetit jugor turk Anamur, në veri të ishullit të Qipros. Bashkimi Evropian dhe Greqia i kanë bërë thirrje Turqisë që të ndalojë menjëherë kërkimin e gazit në ujërat e diskutueshme territorialë.
BE e paralajmëroi Turqinë se mund të përballet me sanksione të reja nëse tensionet nuk zbuten.