Elise Dallemagne 30-vjeçe, është gjetur e vdekur në “ishullin e vdekjes” në Tajlandë. Policia e ka gjetur të varur, kurse nëna e vajzës së pafat nuk u beson pasi që ajo është viktima e shtatë e këtij ishulli famëkeq.
Ajo në asnjë mënyrë nuk i beson variantit të policisë se vajza e saj është varur, dhe është e bindur se dikush qëndron prapa vdekjes së saj. Banorët e asaj zone e kishin gjetur “të copëtuar nga hardhucat”. Dallemagne është gjetur e vdekur në xhunglën e ishullit Koh Tao, tetë ditë pasi kishte deklaruar se dëshiron të rikthehet në vendlindjen e saj në Belgjikë.
Ajo ishte pjesë e sektit “Sathia Sai Baba” dhe jetonte me një person të vetëshpallur si “guru”, kurse nga ishulli ishte larguar më 17 prill për t’u rikthyer në shtëpinë e saj.
Vdekjet në Koh-Tao janë bërë të zakonshme, pasi shtatë turistë kanë vdekur në ishullin e vogël të “vdekjes”, gjatë tre viteve të fundit.
Autoritetet tajlandeze janë munduar të fshehin vdekjen e të huajve që vizitojnë këtë ishull. Ndërkaq, e ëma e viktimës Michell beson se vdekja e bijës së saj nuk do të hetohet.
“Nuk besoj në atë çfarë na ka thënë policia. Frikësohemi se dikush tjetër ka pasur gisht në këtë. Mendojmë që informacionet e policisë nuk janë arsye e fortë që ne të bindemi”, ka shtuar ajo.
Edhe pse asaj i është premtuar kryerja e obduksionit, Michell ende nuk i është dorëzuar trupi i pajetë të bijës së saj.
Atë natë një zjarr i shkaktuar në rrethana ende të panjohura, kishte përfshirë tri shtëpiza të vogla të punuara nga druri i bambusit, përfshirë edhe atë në të cilën jetonte Elise.
Tetë ditë më vonë, më 27 maj, banorët e asaj zone që jetonin në ishullin “e vdekjes” kishin gjetur trupin e Elise të mbuluar me gurë prapa “Family Bai-Resort”.