Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha sot se nënshkrimi i marrëveshjes për normalizim ekonomik me Serbinë nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump, është historike pasi qon një hap përpara drejt njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja për normalizimin ekonomik është hap i madh drejt normalizimit të plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat raporte do të normalizohen me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve. Pra kjo është marrëveshje historike në kuptimin e rëndësisë që ka drejt marrëveshjes finale me Serbinë që është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë prej nga Kosvës i kanë ardhë vetëm të mira”, tha Hoti.
Ai foli edhe për pikat kryesore të marrëveshjes.
“Janë projektet e mëdha infrastrukturore që përfshijnë autostradën Prishtinë Merdarë, hekurudhën Prishtinë Merdarë, studizimin e fizibilitetit për ndërtimin e hekrudhës që i mundëson Kosovës dalje në detin Adriatik. Janë mbi 1 miliardë euro, financa të ofruara në dispozicion nga Shtetet e Bashkuara. Ka zotim të qartë që të gjitha këto projekte të fillojnë së zbatuari brenda një viti. Ky është zotimi i administratës Trump”, tha Hoti.
Hoti foli edhe për çështjen e Ujmanit që është pjesë e marrëveshjes.
“Departamenti amerikan për ujëra dhe energji do të bëjë një studim të fizibiliteti për Liqenin e Ujamanit, për mënyrën se si do të bëhet shfrytëzimi i ujit të këtij liqeni. Kjo është e vërteta, asgjë tjetër nuk ka”, tha kryeministri.
Si pikë jashtëzakonisht të rëndësishme të marrëveshjes, Hoti, përmendi edhe njohjen nga shteti i Izraelit.
“Unë sapo pranova një telefonatë nga kryeministri Netanjahy dhe u dakorduam që të vendosim marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Ky është lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën pas bllokadës së njohjeve. Kjo mbështetje nga Shtëpia e Bardhë është esenciale për ecjen tonë në rrugëtimin euroatlantik”, pohoi kryeministri.