Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është shprehur i lumtur që Kosova do të hapë ambasadën e saj në Jerusalem.
Kur të ndodhë kjo, Kosova do të jetë vendi i parë me shumicë myslimane që do të ketë përfaqësinë e saj diplomatike në qytetin që shihet si i shenjtë si për Izraelin ashtu edhe për Palestinën.
SHBA-ja është bërë vendi i parë që ka zhvendosur ambasadën e saj në Jerusalem, që ishte edhe një premtim i presidentit Donald Trump gjatë fushatës presidenciale më 2016.
Izraeli pritet të njohë pavarësinë e Kosovës, si pjesë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-ja mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kosova, vendi i parë me shumicë myslimane që do të hapë ambasadën në Jerusalem. Siç kam thënë në ditët e fundit, rrethi i paqes dhe njohjes së Izraelit po zgjerohet. Edhe kombet e tjera pritet të bashkohen me të”, ka thënë Netanyahu, përcjell “Haazer”.
Edhe Serbia, në bazë të marrëveshjes së sotme të firmosur në Washington, pritet të zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem. Por këtë do ta bëjë pas një viti.