Akri Çipa, ekspert i çështjeve të Ballkanit dhe Lindjes së Mesme. Përpara pak muajsh, Çipa botoi një shkrim të bujshëm në Jerusalem Post, gazetën më të madhe izraelite në gjuhën angleze, për nevojën e njohjes së Kosovës nga Izraeli. Kundër artikullit të Çipës pati reagime të shumta kundërshtuese nga përfaqësues të diplomacisë serbe në Izrael dhe jo vetëm.
Çipa në një bisedë të shkurtër për Kosova.info ai shpjegoi si erdhi deri te njohja e Kosovës nga ana e Izraelit dhe cilat ishin garancitë për këtë njohje. Ai thekson se njohja e Kosovës nga Izraeli ka ardhur në mënyrë të përshpejtuar por jo të papritur.
“Njohja e Kosovës nga Izraeli vjen në mënyrë të përshpejtuar, por jo në mënyrë të papritur. Padyshim, elementët kryesorë që ndikuan në këtë proces ishin ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Shtëpisë së Bardhë dhe realiteti i ri i krijuar nga marrëveshja e para pak javëve ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”.
Sipas tij, Izraeli ka treguar gjithmonë simpati për Kosovën dhe vuajtjen e popullit shqiptar në Kosovë.
“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve mungonin sepse druheshin prej asaj që mund të shihej si pavarësi unilaterale e Kosovës dhe që mund të përdorej si precedent për konfliktin në Lindjen e Mesme. Por, marrëveshja e Izraelit me Emiratet, edhe ajo e ndërmjetësuar drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara, tregoi se pozicioni i Izraelit në arenën ndërkombëtare e tejkaloi konfliktin. Ky realitet i ri në terren, sipas të gjitha gjasave e çliroi Izraelin nga hezitimi. Nga ana tjetër, garancitë e ofruara nga Shtetet e Bashkuara, ishin padyshim elementi final që lëvizi peshoren”, tha ai.
Kjo marrëveshje e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që solli vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, është një goditje për përpjekjet e mëdha të palës serbe për ta parandaluar deri më sot.
Lobimin e saj, Serbia e ka bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet kanaleve diplomatike, por jo vetëm. Vitin e shkuar Presidenti serb Vucic mundi të siguronte një ftesë për të folur tek konferenca vjetore e AIPAC, organizatës më të madhe lobuese pro-Izraelit në ShBA.
Këtë javë, nënvizon Çipa, Kryeministrja serbe Ana Brnabic kishte një artikull në Jerusalem Post ku e falënderonte Izraelin për faktin që nuk e njihte Kosovën si një shtet të pavarur.
Serbia është investuar për të parandaluar njohje të mëtejshme të Kosovës dhe ka pasur gjithmonë një vëmendje të veçantë kundrejt Izraelit në këtë drejtim.
“Tashmë është një realitet i ri dhe Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të vendosur raporte të forta me Izraelin, pasi mund të përftojë shumë prej tyre. Për më tepër, teksa u bë kohë që procesi i shtimit të njohjeve të Kosovës kishte ndaluar, vendosja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është një injektim i forte energjie pozitive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha ai. /Kosova.info/