Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq shkeli marrëveshjen, 24 orë nga nënshkrimi i saj në Washington në pikën ku u zotua se do të ndalin fushatën e ç ‘njohjeve të Kosovës.
Osmani iu referua kërkesës së Vuçiq-it ndaj Turqisë që të mos e hap ambasadën në Jerusalem dhe kërkesës ndaj izraelitëve që ta mendojnë edhe një herë njohjen e shtetit të Kosovës, transmeton Indeksonline.
“Vuçiqit iu deshën pak më shumë se 24 orë për të shkelur pikën 15 të zotimeve që ai nënshkroi në D.C., e cila u kërkon atyre të ndërpresin fushatën çnjohjeve dhe të përmbahen nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare nga të tjerët që të mos e njohin Kosovën. Kaq tipike për Serbinë”, shkroi Osmani në Twitter.
Në një konferencë për media, Vuçiq pas takimit në Bruksel deklaroi se duhet pritur të shihet se çfarë do t’i thotë presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan, Hashim Thaçit dhe Avdullah Hotit.
“I kuptoj lojërat politike në të cilat dikush dëshiron të thotë se edhe një vend mysliman e pranon Izraelin, duke aluduar në Kosovën. Shumë mirë nëse Kosova e pranon Izraelin, por së pari Izraeli duhet ta pranojë Kosovën, e atëherë Kosova ta bëjë punën e saj…Ta shohim se çfarë do t’i thotë Erdogani Hashim Thaçit e Avdullah Hotit”.
Kurse sa i përket izraelitëve Vuçiq tha se ata janë miqtë e serbëve, vëllezër duke shpresuar se kështu do të mbetet, duke i lutur edhe njëherë që të mendojnë për vendimin që do të marrin.