Vedat Muriqi është duke i kryer testet mjekësore në qendrën mjekësore të Lazios, para se t’i bashkohet zyrtarisht klubit nga Serie A duke nënshkruar kontratë afatgjate.
Përfaqësuesi i Kosovës Muriqi mbërriti në Romë të dielën në mesditë nga Stambolli, ndërsa sot herët në mëngjes u paraqit në qendrën mjekësore të Lazios për t’iu nënshtruar testeve mjekësore.
🚴🏻 Test fisici in corso per @MuriqiVedat in @ClinicaPaideia pic.twitter.com/0DuX3eX2U0
— S.S.Lazio (@OfficialSSLazio) September 14, 2020
Gjatë javës së kaluar, Fenerbahce dhe Lazio arritën marrëveshje në vlerë rreth 20 milionë euro për shërbimet e Muriqit, i cili do të zyrtarizohet te klubit nga Serie A në orët në vazhdim.
Muriqi pritet të nënshkruajë kontratë katërvjeçare me pagë vjetore mbi 2 milionë euro, plus bonuse.
Duke folur për gazetarët turq para nisjes drejt kryeqytetit italian të dielën, Muriqi tregoi arsyet pse e zgjodhi Lazion: “Arsyeja pse e zgjodha Lazion është se ajo më kërkoi shumë mua dhe unë vlerësoj se i përshtatem stilit të lojës së këtij ekipi.”
“Po shkoj në një ekip të ri. Synimi im i parë është të jem i suksesshëm në Romë dhe pastaj të luaj për klubet më të mëdha në botë në vitet në vijim. Tani do ta jap më të mirën nga vetja për Lazion”, nënvizoi ai.
Sulmuesi nga Prizreni po largohet nga Feneri pas vetëm një sezoni, ku la shumë mbresa.
Ai iu bashkua Fenerbahces nga Rizespori për 3.5 milionë euro verën e kaluar, duke i shënuare 17 gola në 36 ndeshje në fanellën e verdhezi.