Me dy vjet burgim është dënuar ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.
Shukri Buja, ish-Kryetar i Lipjanit dhe këshilltar i Presidentit është dënuar me 2 vjet dënim me burgim për veprën keqpërdorim detyre.
I akuzuari tjetër në rastin e njohur si “Ferronikeli”, alit Gashi, u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim mund të zëvendësohet me 2 mijë euro gjobë.Bajram Rizani është dënuar me me 6 muaj burgim, Edmond Rexhepi po ashtu është dënuar me 6 muaj burgim të cilin mund ta zëvendësojë me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.
Hashim Vishesella është dënuar me 5 muaj burgim. Ndërkaq Driton Avdiu, Fahri Retkoceri, Magbule Sadiku dhe Burim Kodra janë liruar nga akuza.Të akuzuarit janë detyruar të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës penale, Shukri Buja në shumë prej 500 euro, kurse të akuzuarit tjerë në shumë prej 100 euro.
Shpallja e aktgjykimit është bërë nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.Kurse është veçuar procedura ndaj të akuzuarit Nehbi Zeqiri, sepse i njëjti është në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ishte dënuar me 3 vjet burg.Sipas aktgjykimit të nëntor të vitit 2018 të Gjykatës së Prishtinës i akuzuari, Nebih Zeqiri, ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burg, ndërsa edhe i akuzuari i tretë Halit Gashi ishte dënuar me 6 muaj burgim.
I akuzuari Fahri Ratkoceri ishte liruar nga akuza ndërsa Fahri Vishesella ishte dënuar me 5 muaj burg, Edmond Rexhepi me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 3,500 euro), Bajram Rizani me 6 muaj (që mund të shndërrohej në gjobë prej 500 euro), ndërsa Driton Avdiu, Magbule Sadiku e Burim Kodra ishin liruar nga akuza.Sipas aktakuzës, Shukri Buja, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme .
Po ashtu, Buja akuzohet për ndikim te personat zyrtarë, tani të pandehurit Hasim Vishesella, shef i sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe Edmond Rexhepi, drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në Komunën e Lipjanit, të cilët, sipas aktakuzës, i ka shtytur në ndryshim parcial të planit zhvillimor urban të qytetit të Lipjanit, ashtu që kanë lëshuar lejen urbane e më pas edhe lejen për ndërtim.Buja akuzohet se ka pranuar ryshfet, me pagesën e bërë nga i pandehuri Fahri Retkoceri, duke ia riparuar automjetin zyrtar “Mercedes ML” në shfrytëzim të tij e në pronësi të Komunës së Lipjanit.
Me çka dhe u akuzua nga prokuroria për veprat penale të kryera në vazhdimësi: keqpërdorim i detyrës dhe autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe ushtrim i ndikimit.Por, disa të akuzuar kanë pëfiituar nga parashkrimi i katër pikave të para të aktakuzës meqë veprat pretendohet se janë kryer në vitin 2008 ndërsa aktvendimi për fillim të hetimeve ishte marrë në vitin 2015.