Drita është kualifikuar në rundin e tretë të Ligës së Evropës, derisa ka eleminuar Sileksin në Shkup me rezultat të pastër 2-0, falë dy golave të realizuar në pjesën e dytë nga Fidan Gërbeshi dhe Ardian Limani.
Kampionët e Kosovës ishin më të mirë se skuadra kundërshtare, pothuajse gjatë tërë lojës, ndërkohë që konkretizuan vetëm dy gola nga shumë raste për shënim që kishin.
Kurse, Goran Simov, trajneri i Sileksit nuk është ndarë aspak i kënaqur me skuadrën e tij në ndeshjen ndaj Dritës.
Pas ndeshjes, Simov ka dhënë kritika të ashpëra për futbollistët e tij.
“Thjesht nuk kemi hyrë në ndeshje siç duhet, unë mbaj përgjegjësinë e plotë. Kemi agresion, por frikësohemi të fitojmë, të shënojmë. Thjesht, kjo është ndeshja më e keqe prej që jam trajner i Sileksit”, ka deklaruar trajneri maqedon.
“Faji është imi. Lojë zero me pasime, zero shanse, skuadër e panjohur e Sileksit. Fatkeqësi futbolli. Urime Dritës, fitore e merituar”, theksoi Simov.