Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti, i cili ka përcaktuar çiftet e skuadrave që do të përballen me njëra-tjetrën në fazën “play off” të Ligës së Europës.
Tirana do të përballet me zviceranët e Jang Bojs, ndeshje e cila do të zhvillohet në transfertë për bardheblutë e Egbosë.
Ndeshja do të luhet më 1 tetor, aty ku bardheblutë e drejtuar nga Emanuel Egbo do të kërkojnë historinë për t’u kualifikuar në fazën e grupeve të Ligës së Europës, e cila do të ishte për herë të parë në histori të klubit të Tiranës.
Goglat kanë vendosur Tiranën përballë një kundërshtari shumë të fortë siç është përballja me kampionët e Zvicrës.
Klubi i Jang Bojs është kampion në fuqi i Zvicrës për sezonin 2019-2020. Pjesë e skuadrës zvicerane është edhe mesfushori shqiptar Taulant Seferi. Jang Bojs u eliminua nga turi i tretë i Ligës së Kampioneve pas humbjes 3-0 ndaj danezëve të Midytjland.
Në fund të vitit 2017, zviceranët kanë luajtur dy ndeshje të vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Europës ndaj Skënderbeut, 1-1në “Elbasan Arena” dhe 2-1 për Jang Bojs në Bernë më 7 dhjetor 2017.