Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan ka ndryshuar tërësisht tonet e diskursit të tij në lidhje me mosmarrëveshjet me Greqinë në Mesdheun Lindor. Në dy postime të bëra, Erdogan ka shkruar për një zgjidhje diplomatike mbi situatën e krijuar duke lënë mënjane demonstrimet e forcës. “Turqia është një vend me histori mijëravjeçare”, shkruan Erdogan në Twitter, ndërsa vazhdon se do t’i zgjidhë keqkuptimet me urtësi dhe në mënyrë të kulturuar, duke marrë parasysh çdo kërkesë të sinqertë me qëllim që t’i japë diplomacisë më shumë hapësirë dhe t’i zgjidhë problemet me dialog, prej të cilit të dalin të gjithë të fituar.
Ne jemi gjithmonë të gatshëm të takohemi nëse ka vullnet të mirë, ne mund të takohemi nëse kemi një takim në një vend të tretë ose përmes video konferencës, por ne mund ta bëjmë atë, shtoi Erdogan. Më herët disa vende të Bashkimit Europian me në krye presidentin francez, Emmanuel Macron, i kanë bërë thirrje Turqisë që të ulej në tryezë për t’i dhënë zgjidhje situatës. Fundjavën e kaluar, Turqia ktheu Oruc Reis, një anije kërkimore që eksploron energji në Mesdheun Lindor, në një port të Antalisë për ristrukturimin dhe mirëmbajtjen e punës. Tensionet kohët e fundit janë përshkallëzuar rreth kërkimit të energjisë në Mesdheun Lindor.