Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar lirimin e të gjitha masave anti-COVID, duke pasur parasysh uljen e numrit të rasteve.
Ministri Zemaj ka bërë të ditur se fillimisht do të bëhet rikthimi gradual i të të gjitha shërbimeve në spitalet e Kosovës.
Përpos kësaj, Zemaj ka deklaruar se rivlerësim të masave anti-COVID do bëhet edhe për kufizimin e lëvizjes, punën e gastronomisë dhe aktiviteteve sportive.
Megjithatë, ai ka thënë se të gjitha këto do bëhen duke vlerësuar situatën në vend dhe se nuk do lejojnë asnjë gabim i cili mund të shkaktojë ndonjë problematik.
“Rekomandimet lidhen edhe me aspektin e riorganizimit të mëtutjeshëm të institucioneve tona. Do të bëjmë rikthimin gradual të te gjitha shërbimeve në spitalet tona. Kjo është domosdoshmëri. Me këtë siguri do të ecim edhe në vlerësimin e masave të reja qoftë në kufizimin kohor por edhe në disa aspekte në gastronomi, disa lirime në aktivitete sportive që ndërlidhen me garat ndërkombëtare. Lirimi i masave ka të bëjë me vlerësimin të cilin e kemi të situatës, personalisht dhe në emër te MSh jemi pak konservativ në ecjen apo në lirimin e tepruar. Nuk do të lejojmë që asnjë gabim i cili mund të na shkaktojë ndonjë problematik”, tha Zemaj.
Kujtojmë se numri i rasteve me COVID-19 në Kosovë ka pësuar një rënie të ndjeshme, duke krahasuar me muajt e kaluar.