“Eli Lilly and Company” kanë deklaruar sot që kanë filluar studimin e parë në njerëz të një terapie me antitrupa që është e dizajnuar të trajtojë CoViD-19.
Faza e parë e studimit do të testojë nëse terapia është e sigurt dhe nëse tolerohet nga njerëzit; këto rezultate priten në fund të qershorit.
Pacientët e parë me CoViD-19 që do të trajtohen me këtë terapi janë të hospitalizuar në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Grossman në New York, pastaj në Cedars-Sinai në Los Angeles dhe në Universitetin Emory në Atlanta, ka treguar kompania për CNN.
Nëse studimi tregon që ky trajtim është efektiv kundër CoViD-19, mund të jetë i gatshëm për shfrytëzim në vjeshtë, sipas kompanisë që është e lokalizuar në Indianapolis.
“Sapo që epidemia filloi, ne filluam punën për krijimin e një ilaçI të ri kundër sëmundjes, dhe tani jemi gati dhe po testojmë këtë ilaç në pacientë,” tha Dr. Dan Skovronsky, që është krye shkencëtari i kompanisë.
Trajtimi është krijuar në bashkëpunim me AbCellera, një kompani bioteknologjike me bazë në Kanadë.
Kur dikush shërohet nga sëmundje si CoViD-19, trupat e tyre prodhojnë miliona proteina që quhen antitrupa për të ndihmuar shërimin dhe për të luftuar sëmundjen.
AbCellera ka kërkuar mostra gjaku nga njëri ndër pacientët e parë të SHBA-s që është shëruar nga CoViD-19, në qelizat e të cilit gjetën qindra antitrupa.
Shkencëtarët e AbCellera dhe Qendra për Hulumtime për Vaksinë në Institutin Nacional për Alergji dhe Sëmundje Infektuese kanë selektuar ato antitrupa që menduan që janë më potente, me të cilat shkencëtarët e Lilly kanë krijuar trajtimin, e njohur si terapia monoklonale e antitrupave.
Kjo formë terapie ka funksionuar në trajtimin e sëmundjeve si HIV, astma, lupus, Ebola dhe disa forma të kancerit.
Kur shkencëtarët përdorën këtë terapi në qeliza në laboratore, panë që terapia bllokon aftësinë e virusit për të infketuar qelizat, sipas Dr. Skovronsky.
Të dhënat nuk janë publikuar akoma, por duke u bazuar në atë rezultat shkencëtarët u lejuan që të fillojnë testimin e trajtimit në njerëz.
Për momentin, trajtimi nga shkencëtarët quhet LY-CoV555./Objektiv/