Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj tha sot në Hagë se nuk e ka njohur, nuk e njeh dhe nuk do ta njoh, Gjykatën Speciale.
Ai tha se po mbahet padrejtësisht në qendrën e paraburgimit në Hagë.
“Nuk e njoh këtë gjykatë dhe nuk do ta njoh. Jam padrejtësisht këtu, e keni thy Kushtetutën e vendit tim, keni thy cdo ligj njerëzor”, tha ai para trupit gjykues.
Haradinaj theksoi se Gjykatës Speciale i ka skaduar mandati më 2 gusht.
Lidhur me paraburgimin e tij, gjyqtari ka thënë se pret që prokuroria të dorëzojë aktakuzën sa më shpejt të jetë e mundur.
Haradinaj akuzon nga Haga: Faqezinjtë deputetë për rroga e kanë sjellë popullin këtu!
Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj akuzoi politikanët që votuan Specialen duke i bërë fajtorë për situatën me të cilën po përballen veteranët.
“Që 15 vjet keni 150 mijë nënshkrime nga popullata, faqezitë tanë deputet për rroga të veta e kanë sjellë popullin këtu”
Mbrojtja e Haradinajt kërkon hedhjen poshtë të akuzave, thotë se Gjykata s`ka jurisdiksion
Mbrojtja e nënkryetarit të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ka dorëzuar mocion për hedhjen poshtë të akuzave dhe lirimin e menjëhershëm të klinetit.
“Duhet t’i rishikoni akuzat ndaj klientit tim. Ai s’është akuzuar për krime lufte. Ky është tribunal për krime lufte dhe klienti im s’është i akuzuar për krime lufte. Në parashtrim kam thënë se kjo gjykatë s’ka juridiksion për këto akuza ndaj klientit tim. Të hidhni poshtë akuzat, ta lironi menjëherë zotin Haradinaj nga paraburgimi me kushtet që do të përcaktoni ju dhe t’i jepen atij dhe avokatit të tij dokumentet mbështetëse të akuzës”, thekson mbrojtja.
Haradinaj: Familja u informua me vonesë për arrestimin tim
Paraprakisht, nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se i është dhënë mundësia ta kontaktojë me familjen me vonesë.
Ai tha se tek mbrëmë ka kontaktuar me familjarët e tij.
“Familja u njoftua përmes medieve për arrestimin tim… Uroj të ketë qenë pa qëllim”, ka thënë ai.
Gjatë seancës fillestare në Hagë, Haradinajt paraprakisht iu lexuan veprat penale me të cilat ngarkohet, për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, duke ofruar në publik të dhëna konfidenciale.
Ai në fillim të seancës u njoh me të drejtat e tij gjatë procesit gjyqësor si dhe për arsyet e arrestimit.
Nasim Haradinaj u arrestua më 25 shtator bashkë me kryetarin e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati.
Urdhërarresti për Gucatin e Haradinajn është lëshuar pasi kishin shpërndarë informata konfidenciale dhe jopublike, si edhe dokumente të lidhura me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në fletëarrestin ndaj tyre thuhet se dyshohen për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale frikësim të dëshmitarëve, Gucati dhe Haradinaj mund të dënohen me burgim prej dy deri në dhjetë vjet. Për hakmarrje mund të dënohen me burg deri në tre vjet. Ndërsa për shkelje të fshehtësisë së procedurës deri në një vit. Avokatët thonë se nëse Prokuroria konsideron që edhe persona të tjerë kanë bërë të mundshëm zbulimin e informatave konfidenciale mund ta kenë fatin e njëjtë me atë të krerëve të OVL-së./Objektiv/