Banka Botërore paralajmëroi se pandemia e koronavirusit mund të varfërojë 38 milionë njerëz në Azinë Lindore dhe në Paqësor. Pa veprime të shpejta të qeverive, “goditja e trefishtë” nga virusi, nga masat e izolimit dhe nga recesioni global mund të shkaktojë dëme për vitet që vijnë, tha Banka Botërore. Sipas saj, sëmundja, pasiguria ushqimore, humbja e vendeve të punës dhe mbyllja e shkollave “mund të çojnë në keqësim të kapitalit njerëzor dhe në humbje të të ardhurave që zgjasin gjithë jetën”.
Paralajmërimi vjen pasi varfëria, sipas Bankës Botërore, ka pësuar rënie dramatike në pjesën më të madhe të Azisë Lindore, gjatë dy dekadave të fundit. Banka Botërore e cilëson të varfër secilin që jeton me më pak se 5.50 dollarë në ditë. Në muajin maj, Banka Botërore ka paralajmëruar se rritja globale mund të tkurret me 5%, si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Ajo po ashtu ka thënë se deri në 60 milionë njerëz në të gjithë botën mund të futen në varfëri ekstreme që do të thotë të jetosh me më pak se 1.90 dollarë në ditë.