Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, nuk e ka përfilluar kërkesën e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për ndërprerjen e dialogut me Serbinë pas zhvillimeve në vend. Mustafa ka thënë se dialogu nuk ka arsye të ndërpritet dhe se bëhet për interesa të Kosovës dhe jo për ato të Serbisë.
Pasi Gjykata Speciale ia konfirmoi aktakuzat katër figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, partia e Haradinajt mbajti mbledhjen e kryesisë, nga e cila dolën me katër kërkesa, e para nga to kërkonte që “Qeveria duhet të ndërprejë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re”.
Por, kryetari i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës nuk e përkrahë idenë e Ramush Haradinajt.
Isa Mustafa, thotë se Qeveria nuk ka arsye të mos bashkëpunojë me BE-në dhe dialogu bëhet për interesa të Kosovës dhe jo për ato të Serbisë.
“Nuk kemi asnjë arsye që edhe qeveria jonë të mos bashkëpunojë me BE-në në të gjitha proceset përfshirë edhe procesin e dialogut. Dialogu nuk bëhet për Serbinë por për interesa të Kosovës”, tha Mustafa.
Tutje, Mustafa foli edhe për konfirmimin e aktakuzave kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke thënë se kanë reflektuar shembull të mirë të bashkëpunimit më drejtësinë.
“Z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi si dhe z. Krasniqi kanë reflektuar shembullin më të mirë të bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë dhe besimin në këto institucione”, përfundoi Mustafa.
Edhe në të kaluarën ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka shprehur pakënaqësi lidhur me dialogun e udhëhequr nga Avdullah Hoti, ndërsa nuk dihet nëse kjo deklaratë e Mustafës do të çojë në një përçarje më të madhe mes partnerëve të koalicionit.