Të gjithë ata persona mbi 70 vjeç dhe nën 25 vjeç do të ndalohen me ligj të përdorin armët e zjarrit.
Kështu parashikon projektligji i ri që ka nisur të shqyrtohet nga komisionet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, në kuadër të ndryshimit të ligjit për armët, ndryshimet e fundit të të cilit janë kryer në vitin 2014.
Përveç kësaj, ndryshimet parashikojnë forcimin e kontrollit mbi armët, kritere më të forta për t’u pajisur me armë me leje, gjurmimin dhe regjistrimin e armëve, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare. Gjithashtu nuk mund të aplikojnë për t’u pajisur me armë për çfarëdolloj arsye personat për të cilët gjykata ka caktuar një masë sigurie si dhe ata që janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve të ndryshme.
Në ligjin në fuqi ishte kriter ndalues vetëm dënimi i formës së prerë. Tashmë përfshihet në kriteret ndaluese edhe dënimi nga shkalla e parë dhe kur Apeli nuk është shprehur ende.
Nuk mund të pajisen me asnjë nga autorizimet për të mbajtur armë personat e evidentuar nga policia për ushtrim dhune në familje, për kundërshtim me ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit apo nëpunësve publik, për çështje të hakmarrjes si dhe për sjellje që cenojnë rendin dhe sigurinë në komunitet. Gjithashtu, nuk mund të pajisen me autorizim për të mbajtur armë personat me me aftësi të kufizuara dhe ata që janë evidentuar si përdorues droge.
Projektligji parashikon 19 lloje armësh, të cilat nuk mund t’i mbajnë vetëm punonjësit e shtetit, që nga armët automatike, pistoletat me silensiator, armë për përdorim të agjentëve kimikë, armë paralizuese elektrike, armë e drejtuar me energji, armë zjarri automatike të modifikuara, armë zjarri e shkurtër që shkrep më shumë se 21 fishekë pa rimbushje etj.
Ndryshimet që pritet të miratohen në Kuvend, heqin nenin 29 në ligjin në fuqi, për autorizimin për mbajtjen e armëve të ftohta, që do të thotë se nuk do të ketë më leje për të mbajtur armë të ftohta.