Personazhi ynë sot vjen i një tjetri dimension ose mund të themi me plot gojën se ai është multi dimensional, falë artit që bën e talenteve që ai mbizotron. Fjala është për djaloshin simpatik e plot botë me origjinë nga Shkodra Alfred Ejlli, për të cilin deri më tani janë mediat italiane ato që e kanë vlerësuar dhe treguar me finesë artin e tij.
Vetëm pak vite më parë Alfredi realizoi në Verona të Italisë, ekspozitën me fotografi “nudo” artistike me titull “Il distacco impossibile”, në shqip “Shkëputja e pamundur”, ku kritikët bashkëkohorë italianë e ngritën lart shpirtin e tij artistik, duke e vlerësuar e njëkohësisht duke e cilësuar si një himn të bukurisë së jetës dhe ndërthurjes plot shije të fantazinë së shëmbëllyer në përditshmëri. Kështu na rrëfen mes të tjerash artisti
Alfred Ejlli: – “Pasioni im për fotografinë lind nga dëshira për t’i dhënë formë fizike dhe njëkohësisht për të materializuar një realitet që e kam parë, prekur dhe përjetuar dita ditës. Në moshën 23 vjeçare, jeta më veshi me shumë përgjegjësi dhe më ballafaqoi me një situatë sa delikate aq dhe impenjative. Përkujdesi ndaj shëndetit të mamit tim të shtruar në spital më dha mundësinë që të jetoja një raport të ngushtë me kurën e trupit të saj.
Dita ditës, me asistimin dhe qëndrimin pranë e ndihmoja dhe e asistoja duke fshehur vazhdimisht shqetësimin dhe lodhjen pas perdes së buzëqeshjes fisnike që çdo fëmijë ka përkundrejt një prindi.
Të shikoja trupin e saj të zhveshur mes dhimbjes e dëshpërimit, më bëri t’a shikoj edhe veten në të njëjtën trajtë.
Këtë përjetim të thellë vendosa t’a pikturoja në foto, t’a mbërtheja në një shkrepje e t’a bashkëndaja me të gjithë botën.
Kështu unë u zhvesha, jo vetëm nga rrobat por edhe nga frika.
E boshatisa veten duke i lënë hapsirë ndjenave të merrnin formën e trupit tim të zhveshur. I hoqa të gjitha para aparatit fotografik e u mbështolla me një cipë të tejdukshme si membranë, në shenjë mbrojtjeje nga i ftohti por mbi të gjitha nga realiteti i hidhur jashtë.
Metafora e gjithë kësaj është se si një i rritur duhet të gjejë kurajon që me botëkuptimin që disponon, të arrijë e të hapë vetë rrugën e suksesit personal”.
Gazetat dhe mediat italiane i dhanë jehonën e duhur artit të shkodranit plot botë, ku ndër të tjerë, kritiku më i madh evropian, Vittorio Sgarbi, ka shkruar e folur me lëvdata të mëdha për ekspozitën e shqiptarit i cili mori dy nga veprat e koleksionit fotografik të artistit dhe i shtoi në koleksionin e tij dixhital.
E teksa shikon kurrukulumin e Alfredit, ka shumë për të thënë e shkruar.
Që në hapat e parë të hedhur me vendosmëri në vendlindje spikat pasioni i veçantë për të arritur e korrur suksese.
Në fillim ai studioi pranë Liceut “Jordan Misja” në Shkodër e më tutje ndoqi Fakultetin e Psikologjisë pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në po të njëjtin qytet.
Në vijim ai përfundoi Masterin për Psikologji në Universitetin e Shkencave Sociale në Tiranë, dhe zhvendosja në Itali në 2010 do të bënte që ai të kërkonte ende dituri e shkollim duke ndjekur Masterin e Informimit Interkultutor e Gjuhësor në Universitetin Katolik “Sacro Cuore” Milano.
Djaloshi ka punuar edhe si mësues në kohën kur ishte me studime në Shqipëri pranë Liceut “Jordan Misja” në Shkodër dhe Liceut “Petro Nini Luarasi” në Tiranë por edhe në Itali si edukator dhe asistent psikolog me adoleshentët. Aktualisht mësojmë se Alfredi po frekuenton shkollën e specializimit në Psikodrama në Milano duke shijuar jetën e tij mes Milanos dhe Veronës pa harruar të kthehet shpeshherë në Shkodrën e tij të dashur.
Përveç karrierës akademike, Alfredi ka shkruar e botuar edhe një libër në gjuhën italiane me titull ” Ciò che conta” (shqip “Ajo që ka rëndësi”), ku tregon realititen e gjeneratave të trashëdimisë mes Italisë dhe Shqipërisë. Këtë libër mund t’a gjeni dhe blini edhe në Google.
Ky ishte vetëm një fragment i vogël i një rrëfimi të shkurtër nga jeta e tij ku pasioni për fotografinë dhe arti shkrihen në një, por figura personale dhe profesionale e artistit tonë ndërthuret me finesë edhe me të qënurit aktor/ regjisor, drejtor artistik,etj.. në botën e modës në Shqipëri dhe Itali.
Për sot na duhet të ndalemi këtu për të vijuar në një moment të dytë me pasqyrimin dhe shtjellimin e pasioneve që ndër vite ka kultivuar me dedikim të jashtëzakonshëm, ndërsa për të gjithë ju që jeni kureshtarë dhe dëshironi të jeni në kontakt, mund t’a ndiqni artistin shqiptar në instagramin e tij personal alfred_angeli.BS