Ish-deputetja e LDK’së, Melihate Tërmkolli, ka reaguar pas humbjes së zgjedhjeve në Podujevë.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ajo ka akuzuar bashkëpartiakët e saj se po e japin partinë tek politikanë të tjerë.
“Isë, Agim, Lutë, Vjosë, ecni, ecni n’shpi! Qe 10 vite e më shumë, LDK-në, herë ia “jepni” Hashimit, herë Albinit! LDK, nga fillimi!”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese e zgjedhjeve në Podujevë, ndërsa Lista Serbe në ato që u mbajtën sot në Mitrovicën e Veriut.
Kandidati i VV’së, Shpejtim Bulliqi ka fituar pa balotazh në komunën e Podujevës, duke marrë 51.64 përqind të votave.
Bulliqi në këto zgjedhje pasohet nga Nexhmi Rudari i LDK’së, më 35.97 përqind, dhe PDK në vendin e tretë, ku Naim Fetahu mori 12.40 përqind të votave, raporton Gazeta Metro.
Ndërkaq, Lista Serbe fitoi bindshëm në Mitrovicën e Veriut, ku ka marrë 89.86 përqind të votave, pasuar nga VV më 3.68 përqind, PDK më 3.54 dhe Dusan Milunovic 2.92 përqind.
Kujtojmë se komuna e Podujevës dhe ajo e Mitrovicës së Veriut shpallën zgjedhjet pasi dy ish-kryetarët, Agim Veliu e Goran Rakic morën poste në Qeverinë Hoti.
Zgjedhjet janë zhvilluar në kushte më ndryshe prej herëve të kaluara, duke marrë parasysh situatën me pandeminë.