Kjo komunë tani e tutje do të drejtohet nga Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili fitoi zgjedhjet me mbi 51%, pa pasur nevojë të shkohet drejt balotazhit.
Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës në Podujevë e mori atë që e kërkoi, pasi ai është i mendimit se partia e Isa Mustafës e shpërfilli elektoratin në këtë komunë.
Shahu konsideron se subjekti i Albin Kurtit, betejën për fitore në Podujevë e ka konsideruar si luftë për jetë a vdekje.
“LDK mori në Podujeve atë që kërkoi. Ajo e shpërfilli elektoratin në kuptimin, mendoi se elektorati i Podujevës do më votojë siç ka bërë gjithnjë duke e votuar Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por, ujërat kanë rrjedhe të rij, shpërfillja, ose nënvlerësimi në mirëbesim bëri që elektorati ta ndëshkojë LDK-në. Nuk është kjo tendenca, rruga, fryma, pasi eksponenti i VV-së, kryetari që u zgjodh që vjen nga LDK-ja dhe ishte zyrtar i përfolur nuk është zgjedhja më e mirë dhe e duhur, por populli votoi atë sepse u ndje i shpërfillur e zhgënjyer nga LDK-ja. Lëvizja Vetëvendosje që vajton se e rrëzoi nga pushteti LDK-në për shkak të arrogancës së VV-së, kishte edhe ka mllef ndaj LDK-së dhe betejën për fitore në Podujevë partia e Kurtit e ka konsideruar luftë për jetë a vdekje”, ka thënë Shahu.
“Humbja në Podujevë nuk është katastrofa e LDK-së”
Ai shprehet se pas humbjes së Podujevës në LDK keq është puna, dhe keq ajo çfarë ndodhi, por ai mendon se jo aq keq sa të gëzohen kaq shumë kundërshtarët e LDK-së.
Sipas Shahut, Lidhja Demokratike e Kosovës është shpirti i Kosovës, është shpresa e besimi politik i shqiptarëve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është ajsberg, është shpirti i Kosovës, është shpresa e besimi politik i shqiptarëve. LDK i mungon rinimi, duhet të rinojë motorët në drejtim dhe të ftojë intelektualë jo biznesmenë që punojnë e fitojnë me fondet publike. Që nga zgjedhja e kryetarit Mustafa ka kontestime, ka akuza, përfolje që në një mënyrë a tjetër e zbehin në një pjesë të anëtarësisë fuqinë e kryetarit. Kryetar të pakontestuar përveç Ibrahim Rugovës nuk mund të ketë kurrë më LDK-ja, njerëzit duhen pajtuar me këtë realitet”, shprehet analisti i njohur.
I pytur se a duhet të vije në krye të LDK-së Vjosa Osmani, Shahu ka thënë se kjo e fundit edhe mund të vije, pasi ai mendon se ish-nënkryetarja e LDK-së mundet ta drejtojë këtë parti me sukses, mirëpo Shahu shton se nëse ajo mendon se shpirti i LDK-së është në dorë të saj, është më mirë të shuhet ky subjekt.
“Ka edhe brenda LDK-së luftëra për poste, funksione dhe nuk është përparësia e parë e të gjithëve Kosova, por karriera për shumëkënd është përparësia e parë. Duke parë se kryetari apo drejtuesit e LDK–së nuk janë kurrë më në nivelin e Rugovës, shumëkujt i ka ardhë oreksi për drejtues i lartë në LDK dhe të gjitha këto tendenca shfaqen e lexohen në jetën politike të eksponentëve të LDK-së. Ju pyetni a duhet Vjosa Osmani ta udhëheqë ketë parti. Pse jo, sipas meje mundet ta udhëheqë Vjosa, LDK-në, kur ajo ta pranoje LDK-në, kur të bindet Vjosa dhe ta artikulojë qartë në publik me shkrim e me gojë se Lidhja Demokratike nuk jeton dhe nuk është gjallë prej Vjosës, kur të bindet Vjosa se është kjo që është dhe është aty ku është vetëm në saje të LDK-së, si përfaqësuese e caktuar prej LDK-së dhe të mos luajë me inate personale pasi politika nuk është inate personale me kryetarin apo me eksponentë të ndryshëm sepse kjo nuk do të ishte politike, por garë për post, pushtet, vend pune. Nëse Vjosa e ka këtë bindje ajo mundet ta drejtojë këtë parti me sukses, por nëse ajo mendon se shpirti i LDK-së është në dorë të saj, është më mirë të shuhet LDK-ja”, tha mes të tjerave Shahu.
Krejt në fund, analisti Shahu thekson se humbja në Podujevë nuk është ndonjë katastrofë, por vetëm një realitet i ri, ku po hiqen mjegullat.
“Një mundësi tjetër për rivitalizim është garimi hapur për drejtim i fytyrave të reja që nuk janë pengje askund asnjëherë as në UDB as në SHIK, që nuk janë pengje fondesh të errëta financiare që nuk i kanë këmbët të pranguara, që nuk kanë mbështetje grupacionesh apo organizmash fetare ekstremiste që kërkojnë arabizmin e Kosovës me sponsorizime të Serbisë, individë që e kanë në AND luftën kundër enverizmit që enverizmi të mos mundet të instalohet kurrë në Kosovë. Për fund po them se nuk ka ndodhë ndonjë katastrofë, nuk është test i mjaftueshëm për të vënë kujën e me shkulë flokët për humbjen në Podujevë. Kosova po hyn në realitete të reja, por hiqen mjegullat”, tha krejt në fund, analisti Rexhep Shahu, për gazetën “Bota sot”.