Zyrtari policor në Policinë Kufitare, Sali Mazreku, 52 vjeç, dyshohet se e vrau vajzën e tij 21-vjeçare, Leonitën, e më pas edhe veten. Sipas familjarëve, vrasja e vajzës ishte aksidentale, teksa zyrtari policor po bëhej gati për të shkuar në punë. Mirëpo, Prokuroria Themelore e Prizrenit akoma nuk e ka dhënë konkludimin nëse bëhet fjalë për vrasje apo vrasje aksidentale. Gazeta Express ka qëndruar sot në lagjen “Edit Durham” në Prizren, ku po mbahet e pamja për babanë dhe bijën dhe nga atje sjell versionin e bashkëshortes që pa ngjarjen me sy.
Me të hyrë në lagje, bie në sy karrigia me peshqir të bardhë që simbolizon vdekjen. Familja po pret të afërmit për kryeshnosh me rastin e vdekjes së kryefamiljarit dhe vajzës së madhe të familjes Mazreku. Sipas Mërgim Morinës, nipit të policit të ndjerë, ai e donte më së shumti Leonitën.
Mërgim Morina thotë se bashkëshortja e të ndjerit ia ka treguar familjes versionin se si ka ndodhur vrasja e çikës dhe pastaj e policit. Sipas saj, derisa 52-vjeçari po bëhej gati për të shkuar në punë është shkrepur revolja dhe nga aty plumbi ka rënë mbi qeramikë e më pas në drejtim të çikës. Sipas tij, kur polici e ka parë çikën e mbytur ka shkrepur plumbin edhe në drejtim të vetes.
“Unë jam Mërgim Morina, polici është axha im. Sipas informacioneve që i kam unë, ka qenë duke shkuar në punë, e ka shiku revolën edhe ka shkrep revolja, (plumbi) ka shku në qeramikë dhe është kthyer në drejtim të çikës, kur e ka pa çikën që e ka mbyt, ka bërtit edhe shoqja e vetë “ooo çika”, kur e ka pa që e ka mbyt çikën i ka mëshu edhe vetes. Këto informacione m’i ka dhënë gruaja e tij”, tha nipi i të ndjerit për Gazetën Express.
Ai thotë se Leonita ishte vajza e preferuar e axhës së tij, ajo ishte e fejuar në Zvicër ndërsa kishte të përfunduar shkollën e mesme.
“Vajzën më së shumti që e ka dashtë ka qenë ajo, e fejume ka qenë. Çika ma e madhe e familjes, shkollën e mesme e ka përfundu”, vijon ai rrëfimin.
Ai shtoi se ngjarja ka ndodhur në sy të bashkëshortës së policit dhe vajzës tjetër së tij.
“Familjarët që janë kanë brenda, ata kanë qenë dëshmitarë. Gruaja e tij dhe një vajzë tjetër kanë qenë brenda, djali ka qenë në katin e dytë. Tani kanë mbetur në familje edhe pesë anëtarë të tjerë, vetë i shtati ka qenë rahmetlia, shoqja, tri vajza dhe një djalë”, shprehet nipi i policit për Gazetën Express.
Ai tha se rastin në polici e ka lajmëruar një kusheri i familjes, ndërsa varrimi do të bëhet nesër.
“Unë nuk kam qenë këtu kur ka ndodh ngjarja, policinë dhe emergjencën e ka njoftu një kusheri. Varrim besoj se do të bëhet nesër”, përfundoi ai.
Lidhur me ngjarjen tragjike, Gazeta Express ka biseduar edhe me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, i cili tha se prokuroria ndodhet në fazën e grumbullimit të informacioneve dhe akoma nuk dihet nëse bëhet fjalë për vrasje aksidentale, ashtu siç pretendon familja.
Shala tha se krimi dyshohet të jetë kryer me armën zyrtare të policit kufitar.
“Mbrëmë rreth orës 19:15, prokuroria ka marrë informacion nga policia se në lagjen “Edit Durham” në Prizren, janë gjetur dy kufoma, policia së bashku me prokurorin kujdestar kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga aty kemi konstatuar se bëhet fjalë për dy viktima, babë e bijë. Ajo që kemi konstatu është që është gjetur një armë e zjarrit, armë zyrtare, pasiqë njëri nga viktimat është zyrtar policor i Policisë Kufitare, i kemi siguru provat, turpat e pajetë janë dërguar për obduksion në IML dhe po presim raportin nga institute pastaj mund të dalim me konkludime përfundimtare se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Lidhur me rrethanat e rastit nuk e dim akoma çfarë ka ndodhur, jemi në fazën fillestare të hetimit dhe të grumbullimit të informacioneve”, tha Shala për Gazetën Express.
I pyetur se sa gëzhoja plumbash janë gjetur në vendngjarje, kryeprokurori tha se “nuk mund të jepen informacione për provat”, teksa shtoi se konkludimi përfundimitar do të jepet pasi prokuroria t’i mbledhë të gjitha provat.
“Ngjarja ka ndodhur në shtëpi, në abiente familjare, në prezencën e anëtarëve të familjes, ne i kemi ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe jemi në fazën e hetimeve, nuk mund të deklarohemi më tepër rreth dëshmitarëve apo deklarimeve të tjera. Për plagët e viktimave nuk e dimë, sepse trupat e pajetë janë në obduksion, ajo dihet nga raporti i obduksionit….As për provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes nuk mund të flasim”, tha tutje Shala.
I pyetur nëse prokuroria ka dyshime se bëhet fjalë për “vrasje aksidentale”, ashtu siç pretendon familja, kryeprokurori Shala tha se kjo nuk mund të dihet tani për tanis.
“Atë konkludim e thonë hetimet, ne jemi duke i përfundu hetimet dhe nuk mund të dalim me konkludim që në fazën fillestare pa i grumbullu të gjitha informacionet, pastaj mund ta dimë se çfarë ka ndodhur me të vërtetë”, përfundoi ai.
Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës brenda këtij viti në vendin tonë kanë ndodhur 25 vrasje. /Gazeta Express/