Pandemia COVID-19 ka ndryshuar thuajse gjithë botën që nga rastet e para kur filluan të shfaqen.
Kësisoj pa u prekur nuk mbeti as Kosova. Prej muajit mars kur edhe u shfaqën rastet e para të të infektuarve deri më sot janë mbi 47 mijë persona që u infektuan me koronavirus.
Si pasojë e këtij virusi humbën jetën 1 mijë e 225 pacientë.
Përballja me këtë virus është mjaftë e vështirë, por edhe e kushtueshme për shumë qytetarë.
Por është vetë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili ditë më parë deklaroi se Kosova pritet që të furnizohet me vaksinën COVID-19, ku kategoritë prioritet janë punëtorët shëndetësorë, të gjithë personat mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, të zemrës, mushkri, neurologjike dhe ata me diabet.
Por mesatarisht 50 përqind e të anketuarve të shteteve të Ballkanit kanë deklaruar se nuk duan të vaksinohen kundër COVID-19.
56% e të anketuarve nga Kosova kanë deklaruar se nuk do të vaksinohen kundër COVID-19, transmeton lajmi.net.
Thuajse ngjashëm vazhdojnë të mendojnë edhe qytetarët e vendeve të rajonit, si në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi e Serbi.
Duhet përkujtuar që vaksinimi anti-COVID veçse ka startuar ndërsa janë shumë vende të botës të cilat po po presin ta marrin atë dhe ta shpërndajnë tek qytetarët.
Ndryshe kjo vaksinë parashihet të jetë falas dhe mbetet tek qytetarët të vendosin nëse pranojnë ta marrin apo jo.
Gjendja me koronavirus në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese, kurse pritet që më së largu të premten Qeveria e Kosovës të deklarohet lidhur me masat të cilat do të duhet t’i ndjekin qytetarët ditët në vazhdim si dhe në periudhën e festave të fundvitit./Lajmi.net/