Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi për qeverinë Hoti.
Sipas vendimit, thuhet se dikush që është i dënuar me vepër penale me një vendim gjyqësor nuk mund të jetë kandidat për deputet të Kosovës.
Qeveria sipas kësaj Gjykate do qëndrojë në detyrë deri sa të zgjedhet Qeveria e re, me zgjedhje të reja.
Lidhur me këtë, juristi Blerim Burjani, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vendi mund të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve dhe partitë duhet ftuar nga presidentja për një datë për zgjedhje.
“Realisht së pari duhet të lexohet verdikti i Gjykatës, për të parë detajet e saj. E dyta, vendi mund të shkojë në zgjedhje brenda 45 ditëve. Së treti, duhet të ftohen nga presidentja partitë politike për konsultime dhe për të bërë një marrëveshje për një datë për zgjedhje”, është shprehur ai.
Sipas Burjanit, tani është në duart e u.d të presidentes që të kërkojë konsultime me partitë, derisa ka dy alternativa.
“Po tash në duart e ushtrueses së detyrës së presidentes për të kërkuar konsultime me partitë politike, duke përsëritur procedurën zgjedhore ose shkuarjen në zgjedhje, pra janë dy alternativa, e para të provohet sërish të themelohet qeveria e re ose të shkohet në zgjedhje të reja”, ka vlerësuar Blurjani.
Më tej, ai shton se nëse nuk ka kurrfarë zgjidhje vendi shkon në zgjedhje dhe VV i mbetet sërish të provojë zgjedhjen e kryeministrit apo në mars të mbahen zgjedhjet.
“Pra duhet që ushtruesja e detyrës t’i ftojë partitë në konsultime për të provuar daljen apo zgjidhjen, nëse nuk ka zgjidhje kurrëfarë, atëherë shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo i bie kështu, VV duhet të provojë sërish zgjedhjen e kryeministrit ose të refuzohet sërish nga VV të përcaktojë kryeministrin e ri me një koalicion të ri ose të pajtohen të gjitha partitë që në mars të shkohet në zgjedhje”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.