Partitë politike në vend, të cilat tashmë kanë vendosur të hyjnë në procesin e ri zgjedhor, pritet të ballafaqohen me një garë të “ashpër” gjatë muajve të ardhshëm.
Lidhja Demokratike e Kosovës, përkundër sondazhin të cilat nuk e pozicionojnë mirë, ka shpresa të mëdha së në zgjedhjet që pritet të mbahen së shpejti në vend, do të dal me një rezultat të favorshëm, krejt kjo, si rezultat i qeverisjes së mirë të Avdullah Hotit.
Zëvendësministri i Kulturës në detyrë, Engelbert Zefaj, njëherit zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka punuar shumë mirë dhe ka arritur të korrigjojë gabimet e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt, pasi sipas tij, këta të fundit e kishin izoluar tërësisht Kosovën.
“Kosova ka pasur nderin që të ketë në pozitën e kryeministrit një njeri kompetent dhe të ndershëm. Ai ka punuar shumë mirë dhe ka arritur të korrigjojë gabimet e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt të cilët e patën izoluar tërësisht Kosovën dhe i patën dëmtuar rëndë raportet me shtetet mike. Pastaj, në aspektin ekonomik ka marrë vendime shumë racionale, prandaj edhe është shënuar një rritje e të hyrave në doganë dhe është rritur transporti (informata zyrtare të Doganës)”, ka deklaruar Zefaj.
Ai poashtu ka lavdëruar shefin e ekzekutivit edhe për mënyrën se si ka menaxhuar me pandeminë.
“Ka menaxhuar shumë mirë me pandeminë dhe Kosova ndodhet në mesin e tri vendeve më të suksesshme të Evropës për menaxhimin e pandemisë. Është treguar kujdes i veçantë për ekonominë e vendit, duke menaxhuar me pandeminë pa e mbyllur totalisht siç e kishte bërë Albini, kështu që bizneset kanë pasur mundësi të veprojnë dhe të shpëtojnë nga kriza”, tha ai.
Tutje, zëvendësministri i Kulturës në detyrë ka shtuar se Hoti është treguar i kujdesshëm edhe me punonjësit që kanë mbetur pa punë dhe për kategoritë tjera sociale.
“Ka treguar kujdes të veçantë për sportin, kulturën dhe rininë duke i ndarë fonde ekstra për t’i ndihmuar në kohë pandemie. Ka treguar kujdes për punonjësit që kanë mbetur pa punë dhe për kategoritë sociale të vendit. I ka ndihmuar bujqit dhe fermerët e shumtë duke i rritur grantet për ta. Ka bërë shumë gjëra të dobishme në një kohë të pa kohë dhe duke u ballafaquar me politika destruktive të opozitës e shpesh edhe të partnerëve të koalicionit”, ka shtuar Zefaj.
Kurse, sa i përket pritjeve për zgjedhjet që pritet të mbahen brenda pak javëve, Zefaj ka thënë se presin një fitore të madhe.
“Lidhja Demokratike e Kosovës gjithmonë angazhohet dhe punon për fitore, kështu që ne presim fitore”, ka deklaruar zëvendësministri i Kulturës në detyrë, Engelbert Zefaj, për gazetën “Bota sot”.