Katër anëtarëve të familjes Zuka nga fshati Pozheran i Vitisë, iu dha lamtumira e fundit para dy ditësh. Pasi një natë para Vitit të Ri, kryefamiljari, Fetah Zuka, 45 vjeç, i privoi nga jeta gruan Makifiren dhe dy djemtë e tyre, 23 e 18 vjeç, Hamdiun e Arbërin. Motivet e shuarjes së kësaj familjeje nuk dihen akoma, përderisa të afërmit e viktimave kanë deklaruar se nuk kanë pasur njohuri nëse çifti kishte pasur probleme mes vete.
Vëllai i Makfires, Ramadan Ademi, tha për Gazetën Express se bashkë me dhëndrin, motrën e dy nipërit kanë ardhur nga Zvicra në Kosovë, e po ashtu kanë pasur plane që të ktheheshin bashkë atje, por tragjedia ua prishi krejt planet.
“S’ka pas asgjë, ka qenë no comment, se edhe unë bashkë me ta jam ardhë prej Zvicrës, po ngjarja është no comment…Bashkë kemi ardhë prej Zvicrës, bashkë kemi pas me shku, por ndodhi rasti dhe diçka shtesë me të vërtetë s’kam diçka çka me shtu. Jemi kanë bashkë, asgjë s’kanë tregu vetëm kur e kemi pa rastin në gazetë edhe na i prishi krejt planet”, tha vëllai i Makfires të dielen për Gazetën Express.
Ai tha se me familjen Zuka janë përshëndetur në ditën e varrimit, ndërsa me Makfirën kanë ndejtur ditën kur ka ndodhur tragjedia, bashkë me motrat e tjera dhe hallat.
“Atë ditë jemi kanë në restorant me motrat e hallat, përndryshe kjo ka ndodh dhe s’ka diçka shtesë. E kemi bë varrimin, jemi përshëndet me familjen, jemi trubullu dhe jemi në gjendje katastrofike”, përfundoi ai.
Ndërsa, ditën e Vitit të Ri, Vëllai i Fetahut, Vetoni, për Gazetën Express rrëfeu ngjarjen dhe momentet e fundit të vëllait pak para se të ndodhte tragjedia. Sipas tij, ai vrau gruan, dy djemtë dhe më pas veten dhe e gjithë kjo ndodhi brenda dy minutave.
Tutje, ai ka deklaruar se me vëllanë kanë kaluar shumë mirë dhe çdo natë kanë ngrënë darkën bashkë.
“Për çdo natë i kemi ngrënë darkat bashkë, te vëllai i madh, gjithmonë na kanë thirrë, e kanë përgatit bukën, tona të mirat e Allahut i kanë pas. Kanë punu, kanë pasur pasaporta zvicerane. Para luftës kanë dalë në Zvicër. Djali i madhi ka punu, i vogli ka desht me vazhdu shkollimin”, rrëfehet tutje Vetoni.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia Rajonale e Gjilanit, ndërsa motivet e kësaj tragjedie vazhdojnë të mbeten të paqarta.
Policia e ka klasifikuar rastin si “vrasje e rëndë dhe vetëvrasje”, teksa shton: “Njësitë relevante dhe ekipi mjekësor kanë dalur në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e tyre. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa si dëshmi materiale është sekuestruar një pistoletë, e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet policore”.
Për shkak të kësaj tragjedie, dita e premte është shpallur ditë zie në Komunën e Vitisë. /Gazeta Express/
Foto: Makfirja bashkë me dy djemtë e saj, Arbërin e Hamdiun.