TIRANË
Zbardhen detaje të reja nga vrasja e dyfishtë e dy motrave Kristina Bardhi dhe Zhaneta Metani, që tronditi Tiranën mbrëmjen e 31 dhjetorit.
Gazetarja Klodiana Lala sjell në redaksinë e “BalkanWeb” një pjesë të dosjes së krimit të rëndë, ku thuhet se autori Përparim Ademi ka marrë peng Zhanetën një ditë para se ta vriste, bashkë me të motrën, si dhe e ka kërcënuar që të rikthehej me të.
Siç citohet në dosje, Ademi i ka kërkuar Zhanetës që të ndahej nga i dashuri dhe e ka çuar në një hotel, ku edhe kanë kryer marrëdhënie seksuale.
“Më datë 30.12.2020 në mëngjes, ka shkuar poshtë pallatit të Zhanetës dhe aty e ka pritur nga ora 06:00 e mëngjesit, kur ajo del për punë. Më pas, ai deklaron se e ka marrë nën kërcënimin e një thike, që kishte me vete, dhe e ka futur në një makinë tip “Volkswagen Tiguan”. Nga aty e ka çuar në Kërrabë, nga rruga e vjetër e Elbasanit, dhe atje kanë ndaluar në një vend pranë lapidarit nja 500 metra më lart, dhe kanë biseduar, duke dashur ta detyrojë të kthehej prapë me të, dhe të shkëputej nga ai person. Përparimi deklaron se një moment Zhaneta u duk sikur ka pranuar. Më pas, ai i ka thënë të shkonin në një hotel dhe të flisnin aty. Më pas, kanë shkuar në hotel, ku dhe kanë kryer dhe marrëdhënie me dëshirën e saj, pa përdorur dhunë ndaj saj në asnjë moment”, thuhet në dosje.
Më tej, në dosje thuhet se “Në darkë, kur Përparimi ka qenë në shtëpi e ka marrë në telefon motra Kristina dhe Zhaneta, duke më thënë që kisha kërcënuar, rrahur e përdhunuar Zhanetën. Për këtë arsye, do më bënin denoncim, do më fusnin në burg, etj. Më thanë se duhet ta lija të lirë Zhanetën, që të vazhdonte me atë djalin. Të nesërmen jam zgjuar në mëngjes dhe kam shkuar te puseta e shtëpisë, ku mbaja automatikun që e kisha fshehur që në vitin 1997. Ka qëndruar duke menduar çfarë duhet të bënte dhe në një moment e ka ndarë mendjen, duke i thënë vetes se tradhtia ka vetëm një çmim, vdekjen, dhe e ka bindur veten fort për këtë gjë”.