Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka marrë vendim që votuesit jashtë Kosovës të regjistrohen për votim përmes emailit. Verifikimi i procesit të aplikimit do bëhet përmes kontaktimit me telefon. Në pikën katër, KQZ-ja njofton se në rast se aplikuesi nuk përgjigjet në thirrje, aplikimi i tij do refuzohet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka specifikuar ndonjë orë të caktuar se kur do telefonohen këta aplikues nga jashtë Kosovës.
“Nëse aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i tij do të refuzohet”, thuhet në vendimin e KQZ-së.
Ky vendim i KQZ-së ka ngjallur reagime të mëdha në opinionin publik e sidomos te deputetët dhe përkrahësit e Lëvizjes Vetëvendosje. Të cilët e kanë cilësuar vendim jo të drejtë dhe tendencioz nga ana e KQZ-së.
Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se sam ë shumë po afrohen zgjedhjet e parakohshme, aq më shumë po i shtohen armiqtë Vetëvendosjes.
Profesori tha se jo vetëm kundërshtarët politikë janë kundër Kurtit, por edhe Gjykata Speciale e KQZ-ja.
“Sa më shumë që kalojnë ditët e afrohen zgjedhjet aq më shumë po dalin e shtohen armiqtë e LVV-së, në anën tjetër, Albinit sa më shumë që i vërsulen ai bëhet më i besueshëm, më i fortë e më i fuqishëm para qytetarëve të Kosovës. Se jo vetëm kundërshtarët politikë janë kundër tij, po edhe Gjykata Kushtetuese para sa ditëve doli kundër kandidaturës së Albin Kurtit për deputet e kryeministër dhe ja më në fund kundër Albinit doli edhe KQZ-ja e cila bën seleksionimin e votuesve të mërgatës gjatë zgjedhjeve që do mbahen më 14 shkurt”, deklaroi Mehazi.
Mehazi tha se sistemi juridik e zgjedhor janë bërë bashkë ta ndalin fitoren e Albin Kurtit me Lëvizjen Vetëvendosje, në zgjedhjet e jashtëzakonshme duke mos i dhënë hapësirë mërgatës për të votuar.
“Këtu hapur shihet se gjithë sistemi politik, juridik e zgjedhor në Kosovë janë mbledhur tog për t’ia ndalur hovin e fitores LVV-së gjatë këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Se dhe KQZ-ja nuk është e pavarur, po në bashkëpunim me Gjykatën Kushtetuese e me partitë kundërshtare janë kundër Albinit të cilit nuk i japin hapësirë elektorale të mërgatës për të votuar partinë e LVV-së”, theksoi profesori.
Mehazi votën e mërgatës, e cilësoi si damarin më të ndjeshëm elektoral të Vetëvendosjes dhe KQZ e vlerësoi si armikun më të madh të VV-së.
“Qartë vërehet se KQZ-ja në marrëveshje me partitë tjera kundërshtare LVV-së duan t’ia shkëputin damarin më të ndieshëm elektoral të mërgatës për t’ia zvogëluar diferencën e madhe të fitores së saj. Për LVV-në e Albin Kurtin KQZ-ja është armiku e sulmi më i madh sesa gjithë oponentët politikë në Kosovë, për shkak se rrezikon fitoren e thellë të LVV-së”, përfundoi profesor Mehazi.