Infermierja Emina Zeqiri është sqaruar pasi e kishte publikuar në Facebook një fotografi me nënën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e cila po qëndron e shtrirë duke u trajtuar në QKUK.
Infermierja ka thënë se nëna e Thaçit ishte pajtuar të bënte fotografi me të dhe që atë ta postonte, duke i akuzuar mediat e duke paralajmëruar padi.
“Te nderuar miq dhe ju familjar, dje kam pasur nderin qe te fotografohem me nënën e ish Presidentit Hashim Thaçi, ku i tregova per admirimin tim per familjen Thaçi, dhe shpreha dëshirën qe ta bëjmë nje fotografi se bashku, nena e ish Presidentit ishte dakord dhe me leje te saj e postova me shume gezim per kete mundesi, por i gjithe entuziazmi im sot mu rrenua pasi qe disa portale tona te cilat pa pike ndergjegje dhe pa pike turpi dhe pa lejen time, moren foton dhe e shperndane neper portale te tyre duke shkruar tituje te tmershem dhe te rrejshem lidhur me kete fotografi. Andaj isha e detyruar qe te ju informoj se secilin nga ato portale do ta padis ne Gjykat dhe nuk do te ndalem deri sa te kerkojne falje publike dhe t[i terheqin ato shpifje ndaj meje dhe ndaj nenes se z. Thaçit.E tmershme eshte kjo çka eshte duke ndodhur vetem per disa klikime te shkaterohet jeta dhe kariera e dikujt dhe te njolloset nje person, por une nuk do te ndalem gjersa e verteta te del”, ka shkruar ajo.
Evgjeni Thaçi, ish-deputete e PDK-së dhe mbesa e Hashim Thaçit, ka reaguar pas publikimit të fotografisë së nënës së ish-presidentit.
“E drejta për privatësi dhe konfidencialitet është një nga te drejtat kryesore te pacienteve. Trajtimin me dinjitet te çdo individi, e siguron legjislacioni ne fuqi dhe konventat ndërkombëtare që trajtojnë te drejtat e njeriut”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ajo ka kërkuar që të ruhet privatësia e të mos publikohen foto pa e marrë miratimin e pacientëve.
“Duke shprehur mirënjohje te thelle për punën e tyre, lus stafin shëndetësor kudo ne Kosove, e poashtu edhe mediat, qe ta respektojnë privatësinë e pacienteve pa marr parasysh kush janë ata. Publikimi pa autorizim i fotografive te pacienteve, cilësohet si shkelje flagrante e te drejtave te tyre dhe një sjellje aspak profesionale”, ka thënë ajo.