Pas Resul Sinanit, Edona Zogut, Aurora Susuri, Erona Salihut e shumë emrave të njohur të medias në Kosovë, televizionit “ATV” i është bashkuar edhe prezantuesi i njohur lajmeve, Zija Rexhepi, raporton Korrespodenti.
Kjo është konfirmuar nga vetë Rexhepi përmes një statusi në profilin e tij në facebook.
“E kanë thënë gjithmonë se koha i ndryshon gjërat, por në fakt ndryshimin e bën ti vet! Të dashtun miq, pas 13 vjetësh në RTK, nga sot iu bashkova një super ekipi në televizionin ATV LIVE, që së shpejti do të bëhet pjesë e familjes suaj. Na prisni edhe pak, po vijmë shumë shpejt!”, ka shkruar Zija Rexhepi në statusin e tij në facebook.
Ekipës së ‘ATV’ iu janë bashkëngjutur gazetarët dhe prezantuesit më të njohur në Kosovë, nga të gjitha televizionet kosovare.
ATV-ja, si projekt i “Media Invest”, do të funksionojë në ambiente gjigante, mbi themelet e Kolegjit AAB, i cili nëpërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë, për 20 vjet me radhë u ka dhënë mediave në Kosovë profesionistë të spikatur dhe të përkushtuar, të cilët kanë lënë gjurmë në fushën e mediave në vendin tonë.
Investimet në teknologji janë bërë në bashkëpunim me ekspertët më të mirë në fushën e medias. Si rezultat i kësaj, ATV-ja do të transmetojë nëpërmjet teknologjisë së fundit dhe më cilësoren në tregun mediatik në rajon dhe më gjerë. /Korrespodenti