Mbledhjen e Shtabit të Krizës dhe Emergjencës e hapi kryetari i Komunës z.Burim Berisha, i cili vlerësoi se gjendja me COVID-19 në komunën tonë është nën kontroll por me trend të rritjes së rasteve.
Kryetari Berisha tha se gjatë javëve të fundit kemi shumë qytetarë të identifikuar me COVID-19 si pasojë e moskujdesit të të gjithëve. Kërkohet më shumë kujdes që të zbatohen rekomandimet e IKSHP-së dhe Qeverisë së Kosovës për bartjen e maskave dhe mbajtjen e distancës që janë masa mbrojtëse e që duhet të aplikohen nga të gjithë. Ne ju lutemi me mirëkuptim që të marrim më seriozisht pandeminë, sepse po merr jetët e njerëzve tanë të dashur.
Tutje kryetari Berisha tha se këto ditë do të fillojë prapë procesi i dezinfektimit të rrugëve, trotuareve, hyrjeve të ndërtesave kolektive, institucioneve etj. Po ashtu do të furnizohen të gjitha institucionet me mjete higjienike duke përfshirë alkool, dezinfektues, maska dhe gjithçka që ka të bëjë me higjienën.
Komuna ka ndihmuar me subvencione ekonominë – bizneset, shëndetësinë, arsimin – duke ofruar ndihmë për studentë, pastaj klube sportive, OJQ etj., e ku në total janë mbi 1100 përfitues, tha në fund kryetari Berisha.
Në takim raportuan për situatën në terren edhe drejtori i QKMF “Fatmir Krasniqi” z. Osman Maxhera dhe komandanti i Stacionit të Policisë z.Besart Shaqiri.