Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë se ai nuk ka mendim personal sa i përket bërjes së kuorumit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit, Presidente.
Ai deklaron se për këtë çështje akoma nuk është diskutuar në Kryesinë e partisë dhe se kur të diskutohet do dalin me qëndrim.
“Nuk bëhet fjalë për mendime personale. Këtë çështje nuk e kemi diskutuar akoma në Kryesi të partisë. Kur ta diskutojmë në Kryesi ne do të kemi qëndrim”, deklaroi Gashi për Gazeta Blic.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ditë më parë ka deklaruar se nuk duan president partiak, por dikë që ka neutralitet.
Sot pritet të zhvillohet një takim mes Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut rreth kësaj çështje.Osmani është kandidate për Presidente nga koalicioni Vetëvendosje-Lista “Guxo”.
Të hënën u votua Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin, kjo Qeveri mori 67 vota në Kuvendin i cili u konstituua po atë ditë.