Ndërkohë që në katin përdhes babai vriste me çekiç nënën e tyre, në kulmin e një zënke të dhunshme, fëmijët ishin mbyllur në tualet, të terrorizuar nga përplasja, që duket se ishte e disata mes prindërve të tyre. Ky është një nga detajet më rrëqethëse nga ngjarja tragjike e ndodhur pasditen e së dielës në qendër të Pove del Grappa, në një apartament në rrugën Bastianelli, aty ku shqiptarja 39-vjeçare Dorina Alla mbeti e vrarë nga bashkëshorti i saj, 51-vjeçari Gëzim Alla, me profesion murator.
Vajza më e madhe e dy fëmijëve, telefonoi nga tualeti kushërirën që jetonte jo shumë larg familjes. Por kur e reja erdhi, për Dorinën ishte tepër vonë. Dy fëmijët, që dëgjuan ulërimat e nënës së tyre u ngjiten me vrap në katin e mësipërm dhe fatmirësisht nuk e panë vrasjen. Ishte vetë 51-vjeçari i cili pas krimit njoftoi karabinierët, duke i thënë se kishte vrarë gruan dhe kur ata arritën në vendngjarje ishte ai që i hapi derën.
Në vendngjarje shkuar forca të shumta policie dhe ambulanca, por për shtëpiaken 39-vjeçare, nuk mund të bëhej më asgjë. Me mbërritjen e karabinierëve fëmijët u nxorën nga një derë tjetër e shtëpisë dhe u dërguan tek një familjar që jeton në Bassanese. Gëzim Alla, pasi u mor në pyetje në Bassano, mbrëmjen e së dielës, ku dhe pranoi autorësinë e krimit, u arrestua për akuzën e vrasjes dhe ndodhet pas hekurave.
Mediat italiane shkruajnë se nga të dhënat e deritanishme rezulton se çifti, pavarësisht zënkave, që kohët e fundit duket se kishin qenë gjithnjë e më të shpeshta, nuk ishin të njohur për forcat e rendit, as nuk kishte pasur denoncime. Një i afërm tha për Telegiornale Rai të Veneto-s se gruaja donte të ndahej. Ngjarja tronditi komunitetin e vogël ku familja shqiptare kishte shkuar që prej vitit 2017./tvklan.al