Djali i 50-vjeçarit të vrarë në Pejë, thotë se babai i tij e ka denoncuar në polici kërcënimin e dorasit një ditë para se të vritej.
Sipas deklaratës së tij dhënë Gazetës Express, policia nuk e ka marrë seriozisht denoncimin e babait, edhe pse thotë se dorasi, që ishte arsimtar i vajzës së viktimës, i ruante me sakicë te banesa. Inspektorati Policor ka nisur hetimet për këtë rast.
Djali i të ndjerit thotë se fqinjët e kishin paralajmëruar viktimën se ish-arsimtari i vajzës së tij, Xhevdet Januzaj, i cili ia kishte sulmuar seksualisht vajzën 12 vjeçe, donte t’i vriste ata. Por, sipas tij policia nuk e ka ndihmuar tashmë të ndjerin me arsyetimin se dorasi “nuk e ka kërcënuar personalisht atë”.
“Na ka rujtë me sakicë para lokalit, poshtë banesës. Ne nuk jemi kanë kerkush në shtëpi, edhe na kanë tregu kojshija. I kanë thanë babit ruju vetë edhe ruje djalin se gjithë ditën të ka rujtë te banesa poshtë, po don me ju vra. Babi u shku e ka denoncu rastin në polici, dhe policia i ka thënë se ky është për momentin i lirë dhe ka të drejt me shku kudo. E kanë pyet se a të kanë kërcënu personalisht, i ka thënë se ku po don më kërcënim sesa me të rujtë te banesa. I kanë thënë se nuk munden me ndihmu kurgjë, përderisa nuk e ka kërcënu personalisht. Nesër me datë 18 maj, babai ka dalë poshtë lokalit te banesa edhe e ka vra me allti të vet”, tha djali i Gëzim Kastratit.
Djali i viktimës pretendon se babai i tij e ka denoncuar kërcënimin në polici më 17 maj 2021, rreth orës 22:00.
“Edhe me i marrë senet ma seriozisht, kur të shkon dikush me lajmëru ndonjë kërcënim, e jo me thanë a të ka kërcënu personalisht. Përderisa është një problem me një person edhe të vjen te banesa, për çka po të vjen ai me sakicë. Ajo u kanë kërcënim edhe policia ka thënë se ka drejt me ardhë, deklarata është në polici që babai e ka dhënë me datë 17 maj, rreth orës 22:00”, u shpreh ai tutje.
Gazeta Express ka tentuar t’i konfirmojë pretendimet e familjes për denoncimin e kërcënimit në Policinë Rajonale të Pejës, por nga Zyra për Informim e Policisë në Pejë thanë se rastin po e heton Inspektorati Policor i Kosovës duke kërkuar që për çdo pyetje rreth rastit gazeta t’i drejtohet IPK-së.
“Duke marr parasysh se rasti është duke u hetuar nga IPK, çdo pyetje që e keni në lidhje me veprimet policore, t’i adresoni tek IPK-ja”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre.
Ndërsa, IPK ka konfirmuar shkurt se rasti po hetohet dhe është në fazën e grumbullimit të informacioneve, në koordinim me prokurorin kompetent.
“IPK ju konfirmon se lidhur me këtë rast është në proces të grumbullimit të informacioneve dhe ndërmarrjes së veprimeve hetimore në koordinim me prokurorin kompetent në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e tyre për Express.
Drejtorit Ekzekutiv të IKD-së, Ehat Miftaraj, vlerëson se është obligim i policisë që raportimet e qytetarëve të trajtohen me efikasitet, seriozitet dhe profesionalizëm për të parandaluar raste të tilla.
“Lidhur me pretendimet e familjarëve të tanimë të viktimës, pa paragjykuar vërtetësinë e tyre, është më rëndësi që të sqarohen dhe vërteteohen rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, veprimet e policisë dhe nëse për këtë rast ështe informuar edhe prokurori i rastit. Pa paragjykuar rastin konkret vetëm në bazë të deklaratave të palëve të përfshira, është obligim i policisë që raportimet e qytetarëve të trajtohen me efikasitet, seriozitet dhe profesionalizëm për të parandaluar raste të tilla”, u shpreh Miftaraj për Express.
Në vendin e ngjarjes besohet se janë gjetur shtatë gëzhoja plumbash, ndërsa i dyshuari për vrasjen u arrestua dje, pas një dite në arrati.
I dyshuari për vrasjen e Kastratit, Xhevdet Januzaj, ish- arsimtar i Fizikës në shkollën “Dardania” në Pejë ishte dënuar me tri vite e gjashtë muaj burgim dhe ndalim të ushtrimit të profesionit për vepren penale “sulm seksual”, të kryer në vitin 2019, ndërsa nxënësja – viktimë e këtij rasti, ishte vajza e viktimës në atë kohë 13-vjeçare.
Sulmi seksual kishte ndodhur në kabinetin e shkollës.
“Historia ka ndodhur më 27 dhjetor 2019 kur kujdestari i klasës e ka thirrë motren tem në kabinet të shkollës për arsye me i mbyll notat. Kur ka hy brenda ka tentu me sulmu seksualisht, motra jem ka arritë me ikë prej kabinetit edhe ka ardhë në shtëpi na ka tregu”, ka rrëfyer djali i viktimës për Express.
Djali i viktimës e ka pranuar se ditën kur motra e tij u sulmua seksualisht nga arsimtari, ishte shkuar në shkollë dhe e kishte sulmuar fizikisht arsimtarin e fizikës.
Ai ka shtuar se motra e tij ka pësuar trauma nga sulmi seksual, ajo është frikësuar natën dhe është frikësuar të shkonte në shkollë, ka thënë djali i viktimës.
Ndërsa versionin sesi ka ndodhur vrasja e 50-vjeçarit e ka dhënë për Klan Kosova edhe djali i Xhevdet Januzaj.