Një grua 35-vjeçare, e cila është përgjigjur për mashtrim para Gjykatës Penale të Lucernit, sot, ka përfituar nga zemërmirësia e një të moshuari, shkruan Aargauer Zeitung.
Ajo ka marrë nga ai gjithsej 278.800 franga dhe i ka shpenzuar ato në kazino, në vend që t`i përdorte për qëllimet për të cilat i kishte marrë. Prokurori kërkon një dënim me tre vjet burg për të akuzuarën, ku ajo sipas tij duhet të vuajë një vit burg efektiv, transmeton albinfo.ch.
Aktakuza, e ngarkon gruan për mashtrim përmasash masive.
Ajo ishte takuar me viktimën në vitin 2013 në funksionin e saj si shitëse përmes telefonit (call Center) dhe më pas e kishte vizituar disa herë. Edhe atëherë, sipas deklaratës së tij, i moshuari i kishte dhënë asaj 36,000 franga. Ajo i kishte premtuar atij seks në këmbim, por procedimet penale pastaj ishin ndërprerë pasi nuk mund të provohej mashtrimi.
Ndërsa pretendimet që tani janë duke u proceduar në gjyq kanë të bëjnë me vitet 2016 dhe 2017, kur e akuzuara sërish ishte paraqitur tek burri në fjalë, në një komunë rurale në Lucern dhe i kishte kërkuar vazhdimisht para. Paratë ishin, sipas saj për të paguar qiranë, borxhet e sigurimit, rregullimin e dhëmbëve, për makinë ose për dy fëmijët e saj.
Në këtë mënyrë, sasia e parave të përfituara kishte arritur në 278 mijë franga. Ajo bënte sikur ndodhej në një emergjencë dhe i premtonte atij fitimin nga një shitje e pronës në Kosovë
Sipas prokurorit, kjo përfituese e ndihmave sociale ka hedhur në bixhoz, respektivisht në kazino, të paktën 200,000 franga të parave të marra nga plaku. Ajo, sipas prokurorit, e kishte shfrytëzuar me qëllim të keq mirësinë e viktimës së saj.
E akuzuara nuk e mohon që ka marrë paratë nga 80 vjeçari. Por ajo mohon të ketë mashtruar atë për qëllimin e marrjes së parave dhe për aftësinë për të shlyer borxhin ndaj tij.
Burri i mashtruar thotë para gjyqit se ai nuk e ka ditur asnjëherë se ajo kishte varësi nga bixhozi ndërsa ajo thotë se i kishte treguar atij për varësinë.