Në një kohë që gripi i shpendëve po kthehet në një shqetësim për shumë vende europiane dhe jo vetêm, qeveria shqiptare ka vendosur të ndalojë importin e shpendëve të therrura dhe të gjalla nga 15 vende të Bashkimit Europian dhe nga Izraeli. Ky urdhër është lëshuar nga ministrja e Zhvillimit Rural dhe Bujqësisë, Milva Ekonomi, “Për disa masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së influencës avariare me patogjenitet të lartë të shpendëve”, në datën 23 prill 2021 dhe është i publikuar në fletoren zyrtare të datës 29 prill. Deri më tani vende si Kroacia, Franca, Italia, Gjermania, Polonia, Hungaria, Rumania, Çekia, Holanda, Belgjika kanë ngritur alarmin e përhapjes së këtij gripi.
Sipas vendimit të qeverisë, ndalohet importi dhe tranzitimi për në territorin e Republikës së Shqipërisë, i shpendëve të gjallë shtëpiakë dhe të egër; zogjtë 24-orësh; shpendë dekorativë; materialit biologjik të shpendëve; importimin e vezëve, mishit si dhe nënprodukteve të shpendëve nga 15 shtetet europiane dhe Izraeli. Ndërsa kujtojmë se Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore publikoi një raport ku tha se në periudhën dhjetor 2020 – shkurt 2021 janë zbuluar mbi 1000 raste të infektimeve nga një virus tepër ngjitës i quajtur HPAI A(H5), i përhapur në shpendë të egër dhe të butë.